VIDEO/ Deputeti socialist Adi Qose rrëfen Elbasanin, politikën dhe sfidat e “grupit të të rinjve” në PS

26 Maj 2026, 16:00Politika TEMA
VIDEO/ Deputeti socialist Adi Qose rrëfen Elbasanin, politikën dhe

“Grupi i të rinjve” është një cilësim i njohur në historinë e Partisë Socialiste, që prej origjinës së saj. Të rinjtë kanë qenë shpesh pjesë e problemit, por edhe e zgjidhjes, në historinë e kësaj force politike që qeveris Shqipërinë prej rreth 75 vitesh. Sot, më shumë se gjysma e grupit parlamentar të kësaj partie përbëhet nga deputetë të rinj, të dalë nga zgjedhjet e majit 2025. Si të tillë, ata shihen shpesh si “pushtues”, si kërcënim për ata që sot janë në krye të strukturave drejtuese të PS-së, si mundësi për qarkullimin e elitës.

Njëri prej tyre është Adi Qose, i cili e sheh përfshirjen e një grupi kaq të madh të rinjsh në parlament si një ripërtëritje të politikës shqiptare. Ai ishte pjesë e listës së mbyllur, me një vend të sigurt në parlament, por është i bindur se edhe nëse do të kishte garuar në listë të hapur, do të kishte thyer çdo rekord votash. Këtë bindje e mbështet te fakti se nuk është shkëputur asnjëherë nga qyteti i tij, të cilit i ka shërbyer në detyra të ndryshme, ndërsa rrugëtimin politik e nisi pa një “rrugë të shtruar”, por me pasionin e një të riu që kërkon të sjellë ndryshim në qytet dhe në politikë në tërësi.

Në një intervistë për Tema, ai flet për fillimet e tij, kur në moshën 17-vjeçare u angazhua në forumin rinor socialist, për të vazhduar më pas me angazhime administrative dhe politike paralelisht, deri në majin e vitit 2025, kur u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Ai flet me pasion për qytetin e tij, Elbasanin, për personalitetet që kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, veçanërisht në momentin e Pavarësisë, si dhe për gjurmët që ka lënë qeverisja socialiste në qytet dhe projektet madhore për të ardhmen.

Adi Qose është ndër ata deputetë të qetë që kërkojnë t’i qasen sallës së Kuvendit me qytetari dhe frymë bashkëpunimi, edhe me opozitën. Ai thotë se gjen te krahu tjetër i politikës bashkëpunëtorë shumë të mirë, sidomos mes deputetëve të rinj të PD-së, me të cilët e bashkon një gjuhë e rëndësishme: ajo që i shërben Shqipërisë dhe zhvillimit të saj.

Përballja e parë me kaosin e seancave të zhurmshme parlamentare ka qenë disi traumatike për të. Tymnaja e flakadanëve shpesh e pengonte të dilte në foltore, por shumë shpejt do të kuptonte se zhurma dhe betejat e ashpra para mediave shuhen menjëherë sapo kamerat fiken. Dhe, për çudinë e tij, njerëz që pak çaste më parë dukeshin në konflikt e përplasje të fortë, pas pak sekondash komunikonin me buzëqeshje, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Qose flet për projektet madhore që pritet të ndryshojnë Elbasanin, por edhe për iniciativa që, sipas tij, do të lënë gjurmë të rëndësishme në të gjithë Shqipërinë. Ai ndalet te procesi i integrimit europian, por edhe te turi “Punët e Shqipërisë”, si pjesë e një vizioni që synon llogaridhënien dhe komunikimin me qytetarët në funksion të zhvillimit dhe modernizimit të vendit.

Lini një Përgjigje