Historiani dhe studiuesi Edon Qesari, i ftuar në Apostrof Podcast nga Bjorn Runa, thotë se Shqipëria deri më tani ka qenë relativisht e mbrojtur nga formacione të qarta të ekstremit nacionalist, por kjo nuk do të thotë se shoqëria është imune ndaj tyre.
Sipas Qesarit, ndryshe nga disa vende të tjera të rajonit, Shqipëria nuk ka pasur deri sot një parti parlamentare të ngjashme me formacione si Agimi i Artë në Greqi. Megjithatë, ai thekson se mungesa e një partie të tillë nuk duhet lexuar si provë se shoqëria shqiptare është e mbrojtur nga ekstremizmi i djathtë apo neofashizmi.
“Nuk e quaj të pamundur, sepse gjykoj që ai është një djep i cili është ende i pashfrytëzuar,” thotë ai.
Qesari paralajmëron se në Shqipëri ekzistojnë ndjenja dhe pakënaqësi që mund të shfrytëzohen politikisht përmes premtimeve të shpejta nacionaliste. Një nga format e mundshme, sipas tij, është ideja se projektet nacionaliste mund të paraqiten si zgjidhje për të gjitha problemet sociale, historike dhe politike.
"Nuk kemi patur një parti të ngjashme me vendet e tjera të Ballkanit. Nuk ka patur asnjëherë, të paktën në skenën parlamentare parti si Agimi i Artë në Greqi, për shembull, por nuk e quaj të pamundur, sepse gjykoj që ai është një djep i cili është ende i pashfrytëzuar, ai i këtyre lloj ndjenjave, të cilat mund të perceptohen si përgjigje e shpejtë: krijojmë Shqipërinë etnike dhe kjo do t’i zgjidhë të gjitha problemet e tjera të tashme, të shkuara po e po, por mund t’i japë edhe një zgjidhje për të ardhmen,” shprehet Qesari.
Qesari argumenton se mungesa e një partie të qartë të ekstremit të djathtë në Shqipëri deri më sot lidhet më shumë me kufizimet dhe mungesën e imagjinatës së klasës politike sesa me ndonjë imunitet të shoqërisë shqiptare.
“Fakti që nuk është krijuar diçka e tillë, e gjykoj më tepër pasojë të një fantazie të munguar në botën politike shqiptare, sesa rrjedhojë të faktit që shoqëria shqiptare është imune ndaj këtyre fenomeneve, ndaj këtyre neofashizmave,” shprehet ai.
Në këtë kontekst, Qesari paralajmëron se aktorë që nuk kanë gjetur hapësirë në partitë ekzistuese mund të përpiqen të përdorin ndër të tjera edhe protestën aktuale si rrugë hyrjeje në skenën politike.
“Aktorë që nuk kanë pasur derë të hapur në partitë e tanishme politike, mund të shfrytëzojnë hyrjen nga dritarja e protestës, për shembull” shprehet Qesari.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Të jetosh në kohë krizash: Fuqizimi i të djathtës ekstreme dhe kriza e të majtës | Edon Qesari