Vizita në Sofje – Spiropali: Bullgaria, mike e qëndrueshme në rrugën tonë europiane

9 Korrik 2025, 17:59Politika TEMA
Vizita në Sofje – Spiropali: Bullgaria, mike e qëndrueshme

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim me Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Rossen Jeliazkov. Vizita, e zhvilluar në kryeqytetin bullgar, vjen në një moment kur Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Nëpërmjet një postimi të shpërndarë në rrjetet sociale, Spiropali theksoi rëndësinë e këtij takimi dhe mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e pakushtëzuar që Bullgaria ka dhënë ndër vite për integrimin europian të vendit tonë.

Ajo e vlerësoi Bullgarinë si një partnere të qëndrueshme dhe një aleate të besueshme, jo vetëm në kuadër të BE-së, por edhe në partneritetin e përbashkët brenda NATO-s dhe në nismat rajonale që synojnë stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan dhe më gjerë.

Në fokus të takimit ishin gjithashtu marrëdhëniet dypalëshe, që sipas Spiropalit karakterizohen nga bashkëpunim i frytshëm në fushën politike, ekonomike dhe të sigurisë, duke ndërtuar mbi një miqësi të konsoliduar ndër vite.

 

Më poshtë postimi i plotë i Spiropalit: 

Sofje-Bullgari.
 Pritja nga Kryeministri i Republikës së Bullgarisë, Rossen Jeliazkov.

Mirënjohje Bullgarisë për mbështetjen e palëkundur për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Marrëdhëniet politike dhe ekonomike, partneriteti në NATO, bashkëpunimi rajonal dhe kontributet e përbashkëta për paqen dhe sigurinë në rajon, Europë dhe më gjerë dëshmojnë një miqësi të qëndrueshme dhe bashkëpunim të frytshëm mes dy vendeve tona.

Lini një Përgjigje