Abazoviç: Situata në veri të Kosovës mund të kthehet në një konflikt në shkallë më të gjerë

26 Shtator 2023, 11:50Rajoni TEMA

Abazoviç: Situata në veri të Kosovës mund të kthehet

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç e ka dënuar vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku të dielën e 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit.

“Unë personalisht dënoj fuqishëm dhunën dhe vrasjen. Çfarë mund të themi tjetër, u tronditëm vërtet. Kjo lloj situate mund të kthehet lehtësisht në një konflikt në shkallë më të gjerë dhe kjo është një fatkeqësi”, tha ai për mediat malazeze.

“Ne mendojmë se politika e viteve 90-ta duhet të marrë fund”, ka theksuar ai.

Abazoviç po ashtu i bëri thirrje popullit serb dhe atij kosovar që të përpiqen të pajtohen. “Unë garantoj se të gjithë do të jenë mirë”, shtoi ai.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi terrorist nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit të dielën e 24 shtatorit.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.

 

Lini një Përgjigje