Në një intervistë për emisionin “Tema e Ditës” në RTSH 1 HD, analisti Ismail Tasholli u shpreh se Albin Kurti në raport me Gjykatën Speciale dhe të akuzuarit e UÇK-së ka treguar shumë forma të mungesës së interesit të saj në raport me atë çka po ndodh atje.
“Këtu kam parasysh krahasimin me interesin që ka pasur shteti i Kroacisë, dhe si një mekanizëm i tërë duhet të aktivizohej për të mbrojtur luftën e saj. Këtu tek ne ka qenë një lloj neglizhence dhe herë pas here, aktorë të rëndësishëm të politikës së pushtetit janë artikuluar publikisht me konotacione pezhorative, nënçmuese, për atë që ka ndodhur. Shpesh herë është tallur edhe për mënyrën se si janë zhvilluar ngjarjet. Hera-herës janë nxjerrë jashtë kontekstit për përfitime elektorale.”
Duke kritikuar procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, analisti Ismail Tasholli komentoi duke thënë se, “Qytetarët e Kosovës nuk kanë pasur mundësi tjetër për të qenë pjesë e transparencës, sepse Gjykata Speciale ka qenë e bunkerizuar dhe gjithmonë jemi munduar të artikulojmë pakënaqësinë tonë, sepse institucionalisht e kemi pasur të pamundur që të bëjmë pyetje apo të kërkojmë përgjigje. Ndaj kjo protestë simbolike shërben për të rritur presionin dhe artikulon pakënaqësi në forma të ndryshme. Por, siç duket dhe ne e kemi thënë që në fillim, puna nuk ka nisur mbarë dhe kjo po shkon me shumë probleme, dhe shqetësimet qytetare janë në pikën e vlimit në raport me Gjykatën Speciale dhe mënyrën se si po i trajton këto raste.”
Analisti u shpreh se nuk kemi të qartë ende asgjë për fazën ku ndodhet procesi i gjykimit të krerëve të UÇK-së, sepse ajo gjykatë funksionon jo me transparencë.
“Sipas rrjedhës duket sikur jemi në fazën e fundit, sepse mbrojtja tashmë po paraqet dëshmitarë, sikurse qe dhe James Rubin, që ishte zëri i Shtëpisë së Bardhë në atë kohë dhe lidhja që ka pasur me Hashim Thaçin. Shpresojmë që të jemi afër fundit, sepse ky paraburgim përngjan me një burgosje klasike, sepse kohëzgjatja mund të shpjegohet edhe si shkelje e të drejtave të njeriut.”, tha ai.
Lini një Përgjigje