Dhjetëra mijëra njerëz pritet të marrin pjesë të premten në përkujtimoren e 30-vjetorit dhe varrosjen masive të shtatë viktimave të identifikuara të gjenocidit në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës.
Ceremonia përkujtimore nderon më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë që u masakruan pasi forcat serbe të Bosnjës pushtuan zonën e shpallur nga OKB-ja si “zonë e sigurt” në Srebrenicë në korrik të vitit 1995.
Vrasjet sistematike janë klasifikuar si gjenocid nga gjykatat e Bosnjës dhe ato ndërkombëtare.
Ceremonia po ndiqet nga të mbijetuarit, të afërmit e tyre dhe personalitete nga e gjithë bota. Rreth 6,000 vetë kanë përshkuar në këmbë rrugën për në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës përmes Marshimit të Paqes, duke ndjekur rrugën e kundërt të asaj që morën ata që ikën nga gjenocidi 30 vjet më parë.
Qindra motoçiklistë morën gjithashtu pjesë në Moto Maratonën e përvitshme drejt Srebrenicës për të bërë nderimet e tyre.
Ndër viktimat shtatë, eshtrat e të cilëve janë identifikuar që nga përvjetori i kaluar dhe që do të varrosen këtë të premte, është edhe një grua, Fata Bektiç, e cila ishte 67 vjeçe kur vdiq.
Vajza e saj, Behija Rotiç, tha për BIRN se ndihet e qetë që më në fund nëna e saj, të cilën e kujton si një person të dashur dhe të përkushtuar, po përcillet në banesën e fundit.
“Ajo na donte shumë, ishte e dashur me të gjithë ne”, tha Rotiç.
Sipas Institutit për Personat e Zhdukur të Bosnjës, eshtrat e Bektiçit u gjetën 26 vjet pas vdekjes së saj, gjatë një zhvarrimi që u krye në qershor 2021 në fshatin Potocari, pranë Srebrenicës.
Viktimat më të reja që do të varrosen këtë vit janë Senajid Avdiç dhe Hariz Mujiç, të cilët ishin të dy 19 vjeç kur u vranë në korrik të vitit 1995.
Deri më tani, gjithsej 6,765 viktima të gjenocidit janë varrosur në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës. Edhe 250 viktima të tjera janë varrosur në varreza lokale, sipas dëshirës së familjarëve të mbijetuar.
Lini një Përgjigje