Bullgaria rrit presionin ndaj “Lukoil” për të shitur rafinerinë më të madhe në Ballkan

22 Gusht 2023, 10:53Rajoni TEMA
Bullgaria rrit presionin ndaj “Lukoil” për të shitur

Qeveria bullgare ka nisur procedurën për një ndërprerje të hershme të importit të naftës ruse, e cila furnizon rafinerinë e kompanisë ruse “Lukoil” pranë qytetit të Burgasit në Detin e Zi.

Veprimi është parë nga analistët si synim për të ushtruar presion ndaj “Lukoil” për të shitur biznesin e tij në Bullgari.

“Vendimet për analizat e paraqitura do të merren në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit dhe do t’i propozohen qeverisë”.

Për të ndihmuar vendimin e saj përfundimtar, Qeveria ka marrë informacion nga shërbimet speciale dhe ministria e Ekonomisë nëse pezullimi i importeve të naftës ruse kërcënon sigurinë kombëtare të vendit.

Në mesin e vitit 2022, Komisioni Evropian i dha Bullgarisë një përjashtim nga embargoja evropiane e naftës ndaj Rusisë, e vlefshme deri në fund të vitit 2024.

Në fund të korrikut, partitë që mbështesin qeverinë – PP-DB, GERB dhe DPS- paraqitën një propozim për përfundimin e parakohshëm të tij, i cili duket se ka një shumicë të mjaftueshme për t’u finalizuar.

Sipas propozimeve, Bullgaria duhet të anulojë përjashtimin për përdorimin e naftës ruse brenda një muaji pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Kjo pritet të ndodhë në tetor, pasi parlamenti është në pushim veror.

Megjithatë, deputetët lanë të hapur mundësinë që importet ruse të naftës të shtyhen nëse Këshilli i Sigurimit i Këshillit të Ministrave e vlerëson këtë periudhë të pamjaftueshme.

Më pas qeveria duhet të propozojë një afat tjetër për t’u miratuar nga parlamenti. Qëllimi i kësaj mundësie nuk është të shkaktojë krizë në furnizimin me derivate të naftës.

“Euroactiv”

Lini një Përgjigje