Dhjetë dëshirat e mia për Kosovën në vitin 2026

2 Janar 2026, 17:12Rajoni TEMA
Dhjetë dëshirat e mia për Kosovën në vitin 2026

Nga Jonathan Hargreaves

Viti 2025 ishte një vit i humbur për Kosovën. Viti 2026 është një mundësi për t’i siguruar si udhëheqësit politikë ashtu edhe ata të biznesit se ia vlen të investohet në Kosovë si një partnere dinamike në sigurinë dhe prosperitetin e përbashkët evropian

Kur isha shumë i ri, në Britani ekzistonte një traditë e vjetër sipas të cilës kushdo që gjente monedhën “gjashtëpensëshe” të fshehur në pudingun e tyre të Krishtlindjes mund të shprehte një dëshirë dhe ajo do t’i plotësohej. Këtë vit unë festova Krishtlindjen me familjen time këtu në Kosovë, dhe megjithëse nuk gjeta monedhën gjashtëpensëshe, shpreha dhjetë dëshira të rëndësishme për Kosovën për vitin 2026. Këto janë dëshira me rëndësi për Mbretërinë e Bashkuar, si edhe për popullin e Kosovës. Viti 2025 ishte një vit i humbur për Kosovën. Viti 2026 është një mundësi për t’i siguruar si udhëheqësit politikë ashtu edhe ata të biznesit se ia vlen të investohet në Kosovë si një partnere dinamike në sigurinë dhe prosperitetin e përbashkët evropian.

Qeveri vendimtare dhe stabile. Tani që kanë përfunduar zgjedhjet, Kosovës i nevojiten urgjentisht një Kuvend dhe një Qeveri sa më shpejt që të jetë e mundur, si dhe të zgjedhë një president/e pa pasur nevojë edhe për një palë zgjedhje të tjera. Politikanët duhet të kapërcejnë mosbesimet e ndërsjella dhe të përshtatin ambiciet e tyre personale.  Buxheti i Kosovës dhe marrëveshjet kyç ndërkombëtare me vlerë qindra miliona euro duhet të miratohen urgjentisht. Një qeveri funksionale, që zbaton në praktikë Kushtetutën gjithëpërfshirëse dhe shumetnike, e cila mbetet baza e mbështetjes ndërkombëtare për shtetin e Kosovës, do t'u dërgonte sinjale të besueshmërisë dhe pjekurisë politike partnerëve dhe investitorëve.

Marrje e iniciativës për dialogun. Do të doja shumë të dëgjoja politikanët e Kosovës të premtojnë se do të bëjnë gjithçka që munden për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese me Serbinë. Qeveria e re në Kosovë duhet të ketë guxim dhe mençuri politike për të marrë iniciativën dhe për të punuar nën lehtësimin e BE-së për të sjellë paqe të qëndrueshme me fqinjin e saj. Ne do vazhdojmë t'i bëjmë thirrje Serbisë që të bëjë të njëjtën gjë. Në vitin 2025, Mbretëria e Bashkuar konfirmoi angazhimin e saj në KFOR për të paktën deri në dhjetor 2028, duke vazhduar të vërë ushtarët e saj në shërbim të sigurisë së këtij rajoni. Por siguria e vërtetë – ajo lloj sigurie që një ditë do t’ua mundësojë ushtarëve tanë të kthehen në shtëpi – qëndron në një marrëdhënie të normalizuar dhe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Ripërtëritje e respektit për demokracinë. Gjykatat, mediat e larmishme, organet e pavarura si Komisioni i Pavarur i Mediave, të gjitha mund të forcojnë ekonominë e Kosovës, të drejtat themelore të njerëzve dhe rrugën drejt integrimit ndërkombëtar. Dhe ato janë mbrojtja më e mirë kundër atyre që ia duan të keqen. Në mbarë Evropën e vërteta, drejtësia dhe liria për të marrë vendime të informuara janë nën sulm. Ata që janë armiqësorë ndaj Kosovës do të shfrytëzojnë përçarjet e brendshme, gënjeshtrat, sulmet politike dhe përpjekjet për të minuar institucionet e pavarura. Kjo është beteja e sotme.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Nëse Qeveria e re e Kosovës ka vullnet, viti 2026 mund të jetë viti kur kjo më në fund do të ndodhë. Mbretëria e Bashkuar dëshiron që Kosova të jetë pjesë e institucioneve të fuqishme që forcojnë rendin juridik të Evropës, në një kohë kur modelet autoritare janë në rritje. Dhe ne duam të shohim Kosovën të përkushtuar ndaj kornizës së saj ligjore dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, përfshirë edhe formimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe.

Një shtet, shumë komunitete. Kosova ka nevojë për sovranitet dhe siguri në tërë territorin e saj. Duhet të shohim drejtësi për krimet e kryera në territorin e saj në vitet e fundit, përfshirë sulmet në Banjskë dhe në “Ibër-Lepenc”. Sovraniteti i vërtetë nënkupton pëlqim: ndërtimin e një shteti të cilit duan t’i përkasin të gjitha komunitetet. Kohët e fundit vizitova dy nga kryetarët e rinj të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, si edhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut. Atyre u bëra thirrje që të punojnë së bashku me Qeverinë e Kosovës për të gjetur zgjidhje praktike në të mirë të të gjithë qytetarëve të tyre. Kjo do të thotë ofrim të shërbimeve në mënyrë transparente, pa diskriminim dhe me respektim të identitetit, projekte që përmirësojnë jetën e përditshme, si dhe siguri që garanton komunitete të sigurta për të gjithë.

Një diskutim i ri për NATO-n. Në vitin 2025 pata nderin të kaloja ca kohë me oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët trajnohen sipas standardeve të NATO-s, shumë prej të cilëve kanë shkëlqyer gjatë shkollimit të tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Mbretëria e Bashkuar mbështet ambicien e Kosovës për anëtarësim të ardhshëm në NATO. Siguria e Kosovës është element thelbësor i sigurisë së Evropës. Kjo nuk do të ndodhë brenda natës dhe do të nevojiten vendime të vështira politike – mjaftueshëm të forta për t'ua ndryshuar mendjen atyre që ende nuk e njohin Kosovën. 

Menaxhimi i flukseve të njerëzve. Në vitin 2025, gjatë Procesit të Berlinit të kryesuar nga Mbretëria e Bashkuar, Kosova u pajtua të punojë me vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor në një Task Forcë të Përbashkët për Migracionin me Mbretërinë e Bashkuar. Bashkëpunimi në fushën e migracionit është pjesë e një partneriteti më të gjerë të sigurisë në Evropë: mbrojtja e rrugëve të ligjshme, ulja e shfrytëzimit të njerëzve dhe luftimi i grupeve të organizuara kriminale që dëmtojnë shoqëritë dhe ekonomitë tona.

Biznesi me Mbretërinë e Bashkuar. Shpresoj që viti 2026 të jetë viti kur tregtia dhe investimet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës do fillojnë të lulëzojnë. Së bashku mund të bëjmë shumë më tepër, veçanërisht për të shfrytëzuar potencialin e partneritetit mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e teknologjisë dhe energjisë së ripërtërishme. Por investitorët tanë kanë nevojë për siguri dhe për një strategji të qartë për rritje dhe reforma. Ata nuk kanë nevojë as për dramë politike, as për ngecje.

Gratë në qendër të gjithçkaje. Asnjë nga këto gjëra nuk mund të arrihet pa përfshirjen aktive të gjysmës së popullsisë së Kosovës. Dua të shoh gratë të kenë mundësi të lënë fëmijët e tyre në çerdhe të shkëlqyeshme dhe të shkojnë në punë, qoftë në biznes ose si kryetare të ardhshme të komunave të tyre. Dua të shoh vajzat e sotme të bëhen udhëheqëset, sipërmarrëset, krijueset dhe profesionistet e së nesërmes – nga policia dhe siguria te biznesi dhe financat, në sektorin publik dhe atë privat.

Lavdi në Kupën e Botës për Kosovën! Kam një ëndërr që në një ditë korriku do të shohim Kosovën duke luajtur kundër Anglisë ose Skocisë në Kupën e Botës. Ti mund t’ia dalësh, Kosovë!

Ndërsa ngre gotën me verë të gazuar angleze për Vitin e Ri, dua të uroj që viti 2026 të jetë më i mirë për Kosovën – sepse populli i saj e meriton dhe se kjo është ajo që i duhet edhe Mbretërisë së Bashkuar./koha.net

Autori është ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

5 Komente

  1. F
    Fluturo ambasador fluturo

    Po ki nonji pound tandin o ambasador, dergoja t'lutna Osmanit e Kurtit se ata din me e perdor paren tande per t'miren e trullanave qi ata te dy po i drejtojn drejt majave te pashkelura te Sharrit dhe Himalajeve.

    Përgjigjjuni
    1. P
      Petro Dhimitri

      Faleminderit, zoti Ambasador! Dëshirat tuaja përputhen tërësisht me dëshirat e të gjithë shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Keni shkruar me zemër për të mirën e Kosovës. Keni treguar se Mbretëria e Bashkuar e Anglisë na do vetëm të mirën, prandaj dhe ju kërkoni nga populli i Kosovës dhe sidomos nga politikanët që ta harrojnë urgjentisht vitin jo fatlum 2025 dhe të përqafojnë fort vitin 2026 për një perspektivë të re, për zhvillim, për paqe dhe respektim të vendimeve të firmosura, sidomos për dialogun me Serbinë. Bashkëpunimi dhe konsultimi me SHBA-të dhe Evropën për problemet më të mprehta, nuk është nënshtrim, po gadishmëri për të pranuar këshillat e urta të vëndeve që na duan të mirën. Çdo ngurim ose kryeneçësi do të rikthejë sërish vitin 2025 që Kosova duhet ta harrojë.Edhe një herë faleminderit, zoti Ambasador!

      Përgjigjjuni
      1. v
        vezhguesi

        Zoti Petro-bashkohem me ju ne kortezine e. falenderimin qe i keni bere zotit ambasador te Britanise se Madhe ne Kosove. Ajo qe zoti ambasador nuk e thote se keshtu ja do puna eshte fakti se nderkohe kur kerkon zbardhjen e krimeve te kryera ne Kosove, nuk thote asgje per ate farse te turpshme qe po zhvillohet ne Hage kunder heronjve tane qe luftuan per lirine e Kosoves. Asnje fjale e zotit ambasador per te kerkuar falje per Britanine qe dikur mori pjese aktive ne copetimin e trojeve tona etnike duke ja dhene ato fqinjeve tane sa ne jug, lindje e veri. Kjo solli vuajtjet dhe asgjesimin gradual te shqiptareve ne keto treva dhe deri me sot me luftera te vazhdueshme per lirine e bashkimin tone kombetar. Nen hunden dhe me aprovimin e britanikeve, Napolon Zerva masakroi mijera shqiptare te Morese duke i perzene ata nga trojet e te pareve te tyre. Ishte Curcilli ai qe ra dakort me Rusveltin dhe Stalinin ne Kasablanka qe Shqiperia te hynte nen ombrellen sovjetike pas L2B dhe kjo shkaktoi vuajtje mbi 50 vjecare te popullit tone. Nuk kemi nevoje per lot krokodili dhe fjale qe i merr era, por per vepra duke filluar nga lirimi i djemve tane qe vuajne prej 5 vitesh ne burgjet e Hages nderkohe qe serbeve i ferkohen krahet. Europa na ka aq sbume borxhe sa nuk lahen me ne sikur te na paguajne arin e botes. Kane harruar se si rezistenca e lavdishme e shqiptareve nen udheheqjen e Gjergj Kastriotit e mbylli rrugen e osmaneve per ne Europe e cila pa shqiptaret dhe sakrificat e tyre edhe sot do kishin turqishten si gjuhe zyrtare.

        Përgjigjjuni
      2. S
        Shkrim dashamirës

        Shkrim dashamirës i ambasadorit britanik në Kosovë. Një vend aleat i Kosovës. Vetëm për asosacionin nuk jam dakord. Se do e kthente Kosovën në një vend me dy qeveri. Njëlloj si Bosnja. Ndryshe jam për të drejta të plota kulturore, arsimore dhe ligjore për serbët në Kosovë, në bazë të standarteve të OKB-së.

        Përgjigjjuni
        1. a
          astriti

          dhe une kam dhjete deshira per kosoven ne 2026,,,,e para ....te bashkohet me shqiperine .....e dyta te bashkohet me nenen shqiperi ,e treta ....si e dyta ,e katerta si e para ,e pesta si kater te parat ,dhe e dhjeta ,,,,,zevendes kryeministri albin kurti ,ne mbledhje qeverie me kryeministrin edi rama sapo dekretuar nga presidenti rexhep qosja .

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje