Ish-ambasadori amerikan: Kurti po shkatërron marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-ve

23 Shtator 2023, 15:33Rajoni TEMA

Ish-ambasadori amerikan: Kurti po shkatërron marrëdhëniet mes

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, William Montgomery, ka vlerësuar se refuzimi i autoriteteve kosovare për të bashkëvepruar me SHBA-të, posaçërisht rreth dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën patronazhin e Bashkimit Evropian (BE), ka krijuar një momentum të paparë deri më tani në marrëdhëniet mes Kosovës dhe aleatit të saj kryesor.

Në një intervistë për “Kosovo-Online” – platformë e lajmeve në gjuhën serbe me seli në pjesën veriore të Kosovës – diplomati amerikan ka nënvizuar se kryeministri kosovar, Albin Kurti, po shkatërron marrëdhëniet e Kosovës dhe SHBA-të, derisa nuk ka lënë pa kritikuar as qasjen e deritanishme të partnerëve transatlantik në dialogun për normalizimin e marrëdhënive.

Montgomery ka kujtuar se NATO-ja nën udhëheqjen e SHBA-ve e ka bombarduar Serbinë më 1999 pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) vetëm e vetëm për t’i ndihmuar shqiptarët e Kosovës, por sipas tij, kreu i ekzekutivit kosovar tani po sillet në një mënyrë të pafalshme.

“SHBA-të, për të qenë shumë i sinqertë, duke injoruar dhe anashkaluar OKB-në, bënë një hap të madh për të ndihmuar shqiptarët e Kosovës. Një hap të madh. Që atëherë kemi punuar së bashku, në kushte shumë të mira. Kryeministri i Kosovës po e refuzon këtë bashkëpunim. Ai po shkatërron marrëdhëniet tona dhe po sillet në një mënyrë që është e pafalshme”, ka thënë Montgomery.

“Për të gjithë liderët në Perëndim, çështja e Kosovës është problem parësor. Ai nuk po u bën asnjë nder shqiptarëve të Kosovës, sepse siç thashë, ne kishim një marrëdhënie të mirë dhe ai do ta shkatërrojë atë”, ka nënvizuar ndër të tjera ish-ambasadori i SHBA-ve në Beograd në kohën e administratës së presidentit George W. Bush.

Duke folur për faktin se raundi i ri i “negociatave të vështira” diplomatike nën kujdesin e BE-së nuk ka arritur t’i përmbushë pritshmëritë në aspektimin e krijimit të atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, diplomati amerikan ka thënë se as SHBA-ja dhe as BE-ja nuk kanë ide të reja apo një qasje të re për zgjidhjen e rrjedhes së tensionuar të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Pa një qasje të re, nuk mendoj se do të arrijmë gjëkundi. Do të thosha se kjo është çështja parësore, besoni apo jo, më e rëndësishme me të cilën po përballet Kosova tani. Në mënyrë që Kosova të zhvillohet ekonomikisht, të marrë investime të huaja, duhet të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e saj, përfshirë Serbinë”, ka shtuar Montgomery.

E me dështimin e raundit të ri të negociatave në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, janë rritur edhe gjasat që BE-ja t’i ashpërsojë edhe më tej “masat ndëshkuese” ndaj palës kosovare, duke marrë parasysh se për “kolapsin e negociatave”, këtë herë përgjegjëse është konsideruar ekskluzivisht Qeveria e Kosovës.

Terreni i kërkimit të madh për “shkakun e vetëm” dhe “formulën e zgjidhjes” vazhdon të mbetet Brukseli, ndërsa në vend që tensionet e fundit në pjesën veriore të Kosovës t’i inkurajojnë palët t’i kontribuojnë paqes në rajon dhe më gjerë, negociatat diplomatike po kthehen më shumë në arsye për papajtueshmëri sesa për të zgjidhur problemet.

2 Komente

  1. L
    Lakja

    Kaq shume e keni ul nivelin e lojës mëëë...do lexojm gatetat e fshatrave më të humbur me serbë nashti?!?! Ju qofshi!

    1. P
      Patrioti

      Zgjidhja eshte fare e thjeshte. Eshte jashte cdo logjike te besh marreveshje me nje shtet qe nuk te njeh diplomatikisht. Pra si mund te behet marreveshje me Serbine kur nuk e do nje gje te tille ! Se dyti, pse kembengulet te behet marreveshje me serbine kur Republika e Kosoves mund ti zgjidhe ceshtjet e saj VETEM me perfaqsuesit serbe qe jetojne si qytetare te Kosoves. Se treti ne kete rast cdo gje kerkohet nga serbia duhet te kete kushtin e njohjes reciproke. Se katerti: cdo marreveshje me Srebine duhet te kete garancite absolute te SHBA-se dhe BE-se. Dhe jo te ndodhe si me Ukrainen. Pra Z. ish-ambasador nuk do shume mend per kete zgjidhje. Fakti qe SHBA braktis Kosoven per tu miqesuar me serbine armike dhe per me shume mike te Rusisie dhe armike te SHBA-se eshte jolargpamesi, gafe politke dhe naivitet historik. A nuk ishte naivitet historik marreveshja per "mbrojtjen e Ukraines" !

      Lini një Përgjigje