Lista Serbe: I morëm mandatet në Kuvend për t’i mbajtur në duar të sigurta

17 Nëntor 2022, 12:17Rajoni TEMA

Lista Serbe: I morëm mandatet në Kuvend për t’i mbajtur

Lista Serbe tha të mërkurën se nëntë deputetët e rinj të kësaj partie u betuan sot në Kuvendin e Kosovës për të “verifikuar teknikisht mandatet e tyre” dhe “për t’i mbajtur ato në duar të sigurta”.

“Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës dhe Metohisë, me të cilat janë shuar të gjitha institucionet e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.


Rikujtojmë se deputetët që u betuan sot po zëvendësojnë mandatet e dhjetë deputetëve të mëhershëm, të gjithë nga Lista Serbe, që dhanë dorëheqje ditë më parë.

Në Kuvendin e Kosovës sot u betuan: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq, Bilana Makshiq, Milan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Olivera Zdravkoviq dhe Cvetko Velkoviq nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Menjëherë pas betimit, këta deputetë u larguan nga salla e Kuvendit.

Dorëheqjet e deputetëve, si dhe shumë zyrtarëve të tjerë serbë në institucionet e Kosovës, kanë nisur në fillim të nëntorit, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Deputeti i sapo zgjedhur, Cvetko Velkoviq nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë konfirmoi se ai planifikon ta mbajë mandatin e tij, “pa marrë parasysh veprimet e Listës Serbe”.

Rada Trajkoviq nga Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka reaguar pas betimit të deputetëve.

Ajo në rrjetin social, Twitter, ka thënë se Lista Serbe ka marrë nëntë mandatet “në mënyrë që të pengojë hyrjen time në Kuvend dhe që të pamundësojë që komuniteti serb në Kosovë më në fund të ketë përfaqësuesit e tyre të vërtetë”.

Në reagimin e Listës Serbe thuhet se me marrjen e mandateve është parandaluar “plani i (kryeministrit të Kosovës)Albin Kurtit dhe serbëve të përshtatshëm ndaj tij për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore”.

Sipas Listës Serbe, plani synon “marrjen e pasurisë nga Kisha Ortodokse, shuarjen e komunave serbe, gjuhës serbe dhe të drejtën (e serbëve) për përfaqësim në institucione”.

Ata kanë përmendur Rada Trajkoviqin si një njeri që punon në atë që Lista Serbe po e quan plan. Plani për të cilën Lista Serbe pretendon që ekziston nuk është i njohur për publikun kosovar.

Trajkoviq më 10 nëntor i tha Radios Evropa e Lirë se prania në institucionet qendrore është me rëndësi shumë të madhe.

“Jo vetëm për shkak të veriut, por edhe për shkak të jugut – po mendoj për serbët në jug të lumit Ibër, të cilët, ndonëse kanë qenë tërësisht të lënë pas dore dhe të përfaqësuar në mënyrë joadekuate – sot duhet të përpiqemi që sërish të punojmë në projektet e përbashkëta me deputetët shqiptarë. Ne nuk mund të ikim nga njëri-tjetri, cilado qoftë zgjidhja që do të zgjedhim”, tha Trajkoviq.

Komuniteti serb, si më i madhi në mesin e komuniteteve pakicë në Kosovë, i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120.

Deri më 7 nëntor, dhjetë deputetët përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë ishin: Sllavko Simiq, Igor Simiq, Millana Nikolliq, Zoran Mojsilloviq, Verica Qeraniq, Branisllav Nikolliq, Millosh Peroviq, Lubinko Karaxhiq, Jasmina Deçiq dhe Dragana Antonijeviq.

Këta deputetë ishin të gjithë nga Lista Serbe, që konsiderohet partia më e madhe e serbëve të Kosovës.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës është duke e zbatuar planin për riregjistrimin e makinave me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Nga 21 nëntori pritet të shqiptohen gjoba për të gjithë qytetarët që përdorin targa me akronime qytetesh si PR, KM e të tjera që Kosova i konsideron të jashtëligjshme.

Beogradi zyrtar insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por Prishtina zyrtare deri më tani ka insistuar se nuk heq dorë nga vendimi i saj.

Bashkimi Evropian, në anën tjetër, është në pritje të përgjigjes së Kosovës për një propozim të ri lidhur me çështjen e targave të paligjshme serbe.

I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ia ka prezantuar këtë propozim kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, gjatë takimit të tyre të martën në Bruksel.

Bislimi tha të mërkurën se “ka elemente që i kemi diskutuar për mundësinë për dalje nga kriza, por nuk ka dakordim”.

SHBA-ja dhe BE-ja i kanë kërkuar Qeverisë që të mos nisë zbatimin e fazës së dytë nga 21 nëntori.

 

1 Komente

  1. T
    Trapi

    Me thene te drejten une nuk kuptoj tendencen e Kurtit per tu "hequr burre" para Amerikes dhe Evropes. Praktikisht kjo mic -mic qe ben me Vuciqin i sherben Vuciqit qe si gjithmone del "burre me ment" ne sy te Evropes. Vuciqi ka qellim qe plani perendimor i ngjashem me planin e "dy gjermanive" te sabotojhet sepse eshte nje hap drejt pranimit te Kosoves nga Serbia. Nga ana tjeter ai nuk do qe te jete ai shkaktar i deshtimit te ketij plani. Pikerisht ne keto dy pika luan politiken edhe Kuri qe me dashje ose jo, si gjithmone merr pozicionin e djalit "grindavec" duke i dhene reputacion Vuciqit te mos pranoje bisedime per problemin kryesor, qe eshte ai i pranimit te planit perendimor per normalizimine marredhenieve me Serbine. Albini duke u marre me "cikerima' ka rene viktime e "inatit" te vet, apo ashtu ja do puna.... Sa per dijeni Vuciqi eshte marre vesh me Kurtin se ne kuader te "tangos se tyre", ai do u japi rrogen deputeteve te vjeter qe lane kuvendin, kurse Kurti do paguaje te rinjte... Pra duket sikur Kurti dhe Vuciqi jane marre vesh qe ushtaret e Vuciqit ne Kosove te vazhdojne te paguhen me fondin e perbashket, nderkohe Kosova vazhdon te jete rrumpalle. Une kete nuk e kuptoj dhe e di qe partizanet e Kurtit do me thone se Albini po i tregon vendin Serbise, nderkohe qe une mendoj se Albini po i tregon vendin Kosoves. Te bashkepunosh me Vuciqin dhe te sabotosh perendimin nuk eshte vetem mipoi, por pune armiqesore. Perfundimisht Albini duhet te punoje sipas axhendes amerikano- evropiane, qe eshte pranimi i planit perendimor sipas te cilit Serbia te pranoje qe Kosova te behet abtare e OKB dhe mbas kesaj Albini mund te vazhdoje me ambicjet e tij personale. Te vesh perpara inatet "patriotike" te Kurtit qe duket sikur jane "dashuria e progamuar" me Vuciqin, eshte njelloj sikur karrocieri te vere karrocen para kuajve dhe pret qe karroca te terheqi kalin....

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje