Mustafa me mustaqe vjen nga Qipro dhe futet në fushatën politike në Kosovë…

14 Mars 2026, 12:20Rajoni TEMA
Mustafa me mustaqe vjen nga Qipro dhe futet në fushatën politike

Nga Enver Robelli

Burri mustaqethinjur, me dukje serioze, me emër e mbiemër tradicional shqiptar, me logo të partisë nën mustaqe, “komentator” i zellshëm e agresiv në Facebook dhe ofendues e përgojues në nivelin e pijanecit të kafehaneve…

Mjafton një verifikim i shkurtër dhe shih ti: ky burrë shqiptar nuk ekziston fare, në profilin e tij ka vendosur fotografinë e Mustafa Akinci, politikan turk i Qipros, mes 2015-2020 president i Republikës Turke Qipriote. Se kush qëndron pas profilit të rrejshëm që keqpërdorë edhe fotografinë e një politikani turko-qipriot për beteja të pista politike - kjo le t’i mbetet për sqarim autoriteteve të sigurisë të Kosovës…

Nuk është ky rasti i parë dhe i vetëm. Jo vetëm burra me mustaqe të vjedhura në Qipro, por edhe gra me emra të rrejshëm, fytyra të rrejshme dhe mustaqe të vërteta përpiqen të shndërrohen në pjesëmarrëse debati në jetën e përditshme. Qëllimi i tyre?

Propaganda e shfrenuar kundër rivalëve politikë dhe figurave të tjera publike. Opinioni kosovar nuk po ballafaqohet vetëm me lajme të sajuara, trillime e mjegullnaja dashakeqësish antishtetërorë dhe antigazetareskë, por edhe me krijesa të gënjeshtërta në dynjallëkun digjital.

Mustafa Akinci, politikani turko-qipriot, të cilit dikush në Kosovë po ia keqpërdorë jo vetëm mustaqet, por krejt portretin për të krijuar koleksion profilesh të rrejshme, është një socialdemokrat që gjatë mandatit të tij si president i pjesës turke të Qipros është angazhuar besueshëm për demokraci dhe liri të mediave si dhe për distancë sa më të madhe ndaj pushtetit autokratik të Rexhep Taip Erdoanit. Ironike që bash fotografia e Mustafa Akincit keqpërdoret për cicmice parapolitike.

Për fat të keq Akinci humbi zgjedhjet presidenciale në vitin 2020. Pasaardhës i tij u bë Ersin Tatar, i cili s’ka mustaqe, por me kokën e tij tullace lë përshtypjen e një xherahu të pasherr. Mos u befasoni nëse së shpejti e shihni duke komentuar nëpër rrjete sociale, me emër shqiptar, për shembull Emin Tahiri. Vitin e kaluar Ersin Tatar i humbi zgjedhjet persidenciale. Në vend të tij fitoi socialdemokrati Tufan Erhürman.

Mashtruesit digjitalë mund t’ia gjejnë një emër shqiptar edhe Tufan Beut për t’ia keqpërdorur fotografinë për një profil të rrejshëm në mediat (a)sociale.

6 Komente

  1. E
    Emër

    Po , se në Kosovë, njerëzit besojnë çdo djall që shfaqet si ëngjëll.... Ndërkohë në Shqipëri, edhe ëngjëllin e quajnë djall.

    Përgjigjjuni
    1. p
      pollogu

      her¨e parë një tekst i redaktuar

      Përgjigjjuni
      1. K
        Klimax

        Nuk më intereson shumë se çfarë shkruan një komentator në një profil fallco, qoftë edhe me mustaqe dy pëllëmbë, ajo që më bënë përshtypje është arsyetimi i të qënit emër "shqiptar"!!!! Mustafa, Emin, Tufan, Enver apo dhjetëra e dhjetëra emra të këtij lloji që përdoren së shumti në trojet shqipëfolëse mbi të gjitha tek ato të besimit mysliman nuk kanë asgjë të përbashkët me identitetin shqiptar, nuk kanë asnjë kuptim në gjuhën shqipe si dhe nuk kanë asnjë rrënjë që të kenë prejardhje nga kjo gjuhë. Thjeshtë janë emra të botës islame që kanë kuptim vetëm në gjuhën arabe, perse apo të të asaj turke. Përdorimi i emrave (mbiemrave) të tillë nuk të bëjnë as më shumë shqiptar dhe as më shumë patriot, përkundrazi!

        Përgjigjjuni
        1. M
          Muzaka i Ri

          Mos u merzit z.Robelli, ke këtu ne Shqiperi sa të duash, dhe nuk e çan njeri menderen fare. Shpifes me universitet dhe pa fytyrë, dhe injorante me foto te Alain Delon.

          Përgjigjjuni
          1. M
            Muzaka i Vjetër

            Shpif Sala në Shqpëri përditë.e me okë dhe ja faturon “qytetarit digital”. Madje shpif edhe në tribunën e parlamentit, o zoti Robelli. Të pafëtyrët këtë punë kanë…

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje