“Ngjarja u inskenua nga i shoqi”, Ministrja e Drejtësisë: Naim Murseli tentoi t’i shpëtonte drejtësisë

1 Dhjetor 2023, 22:40Rajoni TEMA
“Ngjarja u inskenua nga i shoqi”, Ministrja e Drejtësisë:

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu konfirmoi zyrtarisht arrestimin e bashkëshortit të Liridona Murselit, si autor i dyshuar i inskenimit të kësaj ngjarjeje.

Haxhiu pohon se në pranga kanë rënë dy persona, ndërsa nënvizon se bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli tentoi t’i shpëtonte drejtësisë duke deklaruar se vrasja ishte pasojë e një grabitjeje me armë.

“Me punë intensive, angazhim dhe bashkëpunim ndërmjet policisë dhe prokurorisë, janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen për vrasjen e gruas në Prishtinë. Njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës Liridonës, i cili sipas dyshimeve ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje”, shkruan ajo.

Ministrja e Drejtësisë thekson se ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar, si dhe shton se autoritetet po hetojnë ende lidhur me detajet e vrasjes së 33-vjeçares.

“Vlerësoj lartë angazhimin e policisë dhe prokurorisë për sqarimin e rrethanave që shpiejnë në zbardhjen e këtij krimi të rëndë që mori jetën e të ndjerës Liridonës. Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, përfundon ajo.

Autori i ngjarjes dhe Naim Murseli rezultojnë të jenë nga i njëjti fshat e të kenë lidhje familjare me njëri-tjetrin.

Arrestimi i Naim Murselit, ish-këshilltar i ish presidentit të Kosovës, Behxhet Pacolli vjen vetëm disa orë pas ceremonisë mortore të bashkëshortes së tij.

Lini një Përgjigje