Nxënësit me armë në dorë, Kosova kthen "ushtaraken" dhe "zborin"

29 Shkurt 2024, 21:40Rajoni TEMA
Nxënësit me armë në dorë, Kosova kthen

Në shtator të këtij viti, që përkon me nisjen e vitit të ri shkollor, nxënësit e klasave të 11-ta në Kosovë kanë mundësi të zgjedhin për të ndjekur lëndën “Edukimi për siguri”. Kjo është një iniciativë e Ministrisë së Mbrojtjes që është mbështetur nga Ministria e Arsimit.

Përmes kësaj lënde, shteti synon që nxënësit përveç njohurive të reja në fushën e sigurisë, të zotërojnë njohuri dhe shkathtësi, të cilat do t’i përdorin në jetën e tyre të përditshme si dhe në ndihmë dhe mbështetje të strukturave shtetërore të mbrojtjes dhe sigurisë në raste emergjente dhe krizash.

Nga Ministria e Mbrojtjes thanë për A2 CNN se programi për këtë lëndë ndihmon në formimin individual psikik e fizik të nxënësit nëpërmjet njohjes së sistemit të mbrojtjes dhe sigurisë, kryesisht të sistemit të Republikës së Kosovës dhe me gjerë, duke filluar nga konteksti historik, gjeografik, ushtarak dhe ai i mbrojtjes civile.

“Përmes këtyre njohurive, duke u njohur dhe aftësuar me shkathtësitë bazike të mbrojtjes dhe sigurisë, nxënësit do të arrijnë të fitojnë jo vetëm njohuritë bazike por edhe shkathtësitë e nevojshme sa i përket mbrojtjes dhe vetëmbrojtjes në raste krizash, fatkeqësish apo luftërash”, tha Liridona Gashi, zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes.

Silabusi përbën 66 orë, një orë mësimore në javë, ndarë në pjesë teorike dhe praktike, ku do të trajtohet një gamë e gjerë temash si historiku i institucioneve të sigurisë së Kosovës, gjeografia ushtarake dhe llojet e luftërave. 

Zbatimi i kurrikulës do të realizohet nga ligjërues dhe trajner të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pjesa teorike do të mbahet në shkolla, ndërsa ajo praktike në kazermat e FSK-së.

“Në lëndë do të trajtohen në aspekt teorik e praktik menaxhimi i krizave, shkathtësitë dhe detyrat themelore ushtarake, ku nxënësit do të fitojnë njohuri rreth orientimit në natyrë, ndërtimit të kampit, kërkim-shpëtimit, ofrimit të ndihmës së parë, mbrojtjes civile, përdorimit të armëve, rreziqeve nga inteligjenca artificiale, armët për shkatërrim në masë etj”, shtoi Gashi.

Për njohësit e arsimit në Prishtinë e rëndësishme është që para fillimit të zbatimit të kësaj lënde, të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura dhe lënda të jetë atraktive për nxënësit.

“Ka shumë rëndësi që nxënësit të ekspozohen në institucione të ndryshme të sigurisë, situatave të ndryshme, në mënyrë që ata ta kuptojnë se kush është konteksti, kush është reagimi, kush është përgjegjësia dhe kjo të na kthehet në përfitim për këta të rinj por edhe për përfitim shoqëror”, u shpreh Rinor Qehaja.

Paraprakisht, lënda “Edukim për siguri” gjatë vitit të kaluar është trajtuar si pilot-projekt në shtatë rajone të ndryshme të Kosovës me një numër të kufizuar nxënësish.

6 Komente

  1. V
    V

    Albin Kurti eshte bere si Haxhi Qamili,qe thoshte:”Sa te kem Shijakun dhe Kavajen” nuk pyes per Europen,dhe ky deliranti Kurti thot te njejten gje:sa te kem trushplaret e Kosoves qe me votojn nuk pyes per Ameriken dhe Europen.

    1. p
      pilo Lala

      Vec nje trap si Albini mund te bej keto provokime . Kosova nuk e kupton qe keto provokime nuk jane ndaj Serbise, por ndaj Amerikes dhe Europes. Pa Ameriken, Kosova nuk ekziston dot. Ato pushke druri jane per te genjyer votuesit.

      1. S
        Shala

        Oo koke tula Si ka mundesi te shifni lajme qdo dit qfar ndodh edhe beni fjalime pytje palidhje Kosova ballkani evropa esht para nje lifte te madhe E ju qfar flisni

    2. P
      Pasues veterani

      Shume mire ben ! Nuk ishte budalla Enver Hoxha,i cili e quajti : " Mbrojtja e Atdheut detyre mbi detyrat " Ja pra qe erdhi koha dhe u dashka Kombinati i Policanit dhe Gramshit, po u dashkan dhe bunkjeret, po u dashka dhe pergatitja ushtarake dhe sherbimi ushtarak i detryrueshem. Po u dashka dhe pergatitja ushtarake e qytetareve ( Zbori) per te cilin u thuren plot Humore. Tani po na vjen veza tek bytha e kerkojme furrik. Pas viteve 1990 filloi te qarkulloi thenia...... Ku ta dinim ne te shkretet / se armiku ishim ne . Sot duhet thene : ku ta dinim ne trutharet// qe jetojme kete jete // po tani e kuptuam// Armiku qenka me te vertet . Ndaj te brohorisim menjehere// I paharruar,o shoku Enver !

      1. A
        Albani

        Në rast lufte në Ballkan, që ekspertët po i druhen dhe e thonë publikisht, në vijën e frontit nuk do të luftojnë ushtarët amerikanë dhe europianë për Kosovën as për të tjerët por do të jenë ushtria Kosovare dhe populli në mbështetje të saj që do bëjnë luftën. Sa më të përgatitur aq më mirë dhe të suksesshëm. Albin Kurti, qeveria dhe populli i Kosovës bëjnë shumë mirë që përgatiten edhe për në rast lufte. Ky është qëndrim realist dhe me këmbë në tokë dhe jo me mëndje si tollumbace në ajër. Ndihma e miqve është e paçmuar dhe me vlera të mëdha por ajo vjen kur ti je në vijën e parë dhe sakrifikon dhe jo ndryshe. I lumtë Qeverisë së Kosovës që është realiste dhe popullit që e kupton dhe e mbështet.

        1. B
          Besnik

          Ne kishim lëndën "Mbrojtja dhe Siguria" që mësohej 2 vite në shkollë të mesme, në vitet 3 dhe 4, pastaj u ndryshua dhe mësohej në vitin e parë dhe të dytë. Poashtu në vitin e parë të studimeve në të gjitha fakultetet. Në gjimnaz kemi pasur gjuajtje me pushkë si ushtrim praktik. Kështu ishte në gjithë ish Jugosllavinë derisa u përmbys sistemi socialist (komunist).

          Lini një Përgjigje