Nga Enver Robelli
Për shqiptarët që jetojnë në Zvicër - qoftë shtetas të dyfishtë, shtetas vetëm të Zvicrës apo vetëm të Kosovës - prioritet numër një duhet të jetë integrimi në shtetin ku jetojnë. Ai shtet është Zvicra! Këtu shqiptarët rezidentë - rreth 300 mijë - paguajnë tatime, sigurime shëndetësore dhe plotësojnë dhjetëra obligime të tjera ndaj shtetit.
Janë shënuar disa suksese në integrimin e shqiptarëve në Zvicër. Këto suksese gjerësisht prezantohen në media. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Një pjesë e madhe e komunitetit me trup jeton në Zvicër (ku refuzon të integrohet), me mendje në Kosovë. Secili i ka arsyet e veta për këtë dhe nuk dua të spekuloj në lidhje me këtë çështje. Megjithatë, të jetosh 30 vjet, 40 vjet apo gjysmë shekulli në Zvicër, të krenohesh me pasaportën zvicerane dhe të mos marrësh pjesë as në zgjedhje, as në referendume komunale, kantonale dhe konfederale - është gabim. Për fat të keq, një pjesë e konsiderueshme e komunitetit shqiptar e bën pikërisht këtë.
Viti 2026 është një rast i mirë për shumë shqiptarë mes Zürichut dhe Gjenevës, mes Baselit dhe Luganos për të menduar më shumë për politikën zvicerane.
Më 8 mars 2026 votohet në referendum mbi shkurtimin e kontributit për mediat publike nga 335 në 200 franga në vit. Kjo mund të ketë pasoja për mediat publike të Zvicrës si televizioni dhe radioja. Mendimet janë të ndara, rrjedhimisht është me rëndësi që qytetarët të informohen dhe pastaj të votojnë.
Po atë ditë qytetaret dhe qytetarët vendosin në referendum nëse me Kushtetutë përcaktohet që si mjet pagese të mbesin të hollat e letrës dhe të metalit (monedhat). Në një kohë kur gati të gjithë paguajnë me kartelë, disa zviceranë besojnë se duhet të ruhen edhe paratë e prekshme.
Ka gjasa që në vitin 2026 të votohet edhe për nismën që numri i popullsisë në Zvicër të kufizohet në 10 milionë. Nisma është lansuar nga partia e djathtë SVP, e njohur për kurs kritik ndaj BE-së dhe të huajve në përgjithësi. Ajo kërkon që deri në vitin 2050 numri i banorëve në Zvicër të mos tejkalojë 10 milionë. Me këtë nismë synohet të kufizohet ardhja e punëtorëve sidomos nga vendet e BE-së në Zvicër. Miratimi i kësaj nisme mund të shkaktojë tensione me Bashkimin Europian, i cili - thënë thjeshtë - ka këtë marrëveshje me Zvicrën: ndonëse vend joanëtar, Zvicra, nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale, ka qasje pothuaj të plotë në tregun e përbashkët të BE-së. Për mirëqenien e Zvicrës dhe ekonominë e saj të orientuar nga eksporti kjo qasje është thelbësore. Nga ana tjetër Zvicra ka qenë e shtyrë nga Brukseli të hapë tregun e punës për shtetas të BE-së. Kjo hapje ka ndikuar që vetëm mes viteve 2011 - 2023 gjithsej 2,4 milionë shtetas të huaj të vijnë në Zvicër. Prej tyre 1 milionë tashmë janë larguar.
Nisma për Zvicrën 10-milionëshe - aktualisht vendi ka pak mbi 9 milionë banorë - është thikë me dy teha: miratimi i saj do të acarojë raportet me BE dhe mund të dëmtojë ekonominë zvicerane. Refuzimi nënkupton se shtetasit e BE-së mund të shpërngulen në Zvicër nëse gjejnë një vend pune. Kritikët theksojnë se kjo do të vazhdojë të ketë pasoja për tregun e banimit: që tani në shumë pjesë të Zvicrës është pothuaj e pamundur të gjendet një banesë për shkak të kërkesave të mëdha. Në qytetin e Zürichut banimi për familje me rroga mesatare është i pamundur. Qiraja për një banesë 3,5-dhomëshe arrin deri në 4500 franga. Në fillim të vitit 2025 - 41 për qind e banorëve të Zvicrës kishin prejardhje të huaj.
Duhet të mbahet në mendje edhe kjo datë: më 8 mars 2026 zgjidhen anëtarët e Kuvendit të Qytetit të Zürichut, atëtarët e qeverisë lokale dhe kryetari i qytetit. Aktualisht shumicën në parlamentin e qytetit e kanë partitë e majta (Socialdemokratët, të Gjelbrit dhe Lista Alternative). Për kryetar të qytetit garojnë 4 kandidatë: Raphael Golta, socialdemokrat, (Golta konsiderohet favorit), Përparim Avdili (partia liberale FDP), i cili është kandidati i parë me origjinë shqiptare që synon kreun e metropolit zviceran, Serap Kahriman nga partia e Gjelbër-Liberale (GLP) dhe Ueli Bamert nga partia e djathtë SVP. E majta (Socialdemokratët dhe të Gjelbrit) dominojnë politikën në Zürich që nga mesi i viteve 90-të, pra qe 30 vjet. Kjo me gjasë nuk do të ndryshojë as me zgjedhjet e 8 marsit. Shqetësimi numër një i banorëve të Zürichut, sipas të gjitha anketave, është çështja e banimit.
Të gjitha këto tema që u përmendën në këtë tekst prekin mijëra shqiptarë në Zvicër. Mbetet vetëm të rritet edhe interesimi për pjesëmarrje në jetën politike dhe publike të Zvicrës. Do të ishte në të mirën e komunitetit sikur pasaporta dhe letërnjoftimi zviceran të mos shfytëzoheshin vetëm sa për t’ia treguar policit në kufi.
Lini një Përgjigje