Ish-përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Joachim Rucker, e ka konsideruar si vendim të nxitur moslejimin e përdorimit të dinarit.
Ai thotë se për të ju përshtatur një ndryshimi si çështja e dinarit duhet të lihet më shumë hapësirë për informim.
“Epo, mendoj se u prezantua paksa me nxitim, nuk dyshoj se mund të jetë e ligjshme, por mendoj se politikisht ju duhet t’u jepni njerëzve më shumë kohë për t’u përshtatur me një ndryshim të tillë”.
Ndërsa sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, ai është shprehur optimist.
“Mendoj se këtu ishin disa kërkesa në lidhje me atë që ju i quani sanksione, dhe mendoj se ato kërkesa ishin të rëndësishme dhe ato mund të përmbushen nga qeveria, jam absolutisht i sigurt dhe ne mund të ecim përpara”.
“Natyrisht, Kosova është pjesë e Komunitetit Euro-Atlantik dhe të ardhmen e saj e shoh në BE. Pra, kjo nuk është një pengesë e madhe”, tha Rucker gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve KosovaPress.
Rucker, ka bindjen se do të ketë rezultate në një afat të mesëm sa i përket normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“OKB-ja është një vend i rëndësishëm për të zgjidhur çfarëdo që duhet zgjidhur, por mendoj se ajo që është shumë e rëndësishme është sigurisht normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe jam ende i bindur se do të shohim rezultate në afat të mesëm”.
Lini një Përgjigje