
Nga Sonja Goçanin dhe Dushan Komarçeviq, REL
Serbia vazhdon të armatoset me armë kineze. Presidenti Aleksandar Vuçiq njoftoi më 28 qershor, gjatë një stërvitjeje dhe ekspozimi të pajisjeve ushtarake të Ushtrisë së Serbisë, se ky vend do të blejë raketa shtesë balistike supersonike CM-400, si dhe avionë të rinj ushtarakë.
Vuçiq i cilësoi raketat CM-400 si “raketa të frikshme” dhe tha se Serbia do ta rrisë numrin e tyre.
Katarina Gjokiq, studiuese në Institutin Ndërkombëtar për Kërkime mbi Paqen (SIPRI), thotë për Radion Evropa e Lirë se ky njoftim lë të kuptohet se edhe avionët e rinj luftarakë do të blihen nga Kina.
“Nuk ka kuptim të blihen raketa kaq të shtrenjta për avionë që shumë shpejt nuk do të mund të përdoren”, thotë ajo.
Vuçiq konfirmoi për herë të parë në muajin mars se Serbia kishte blerë raketa nga Kina, por autoritetet serbe nuk e kanë bërë ende të ditur çmimin dhe sasinë e tyre.
Sipas regjistrave ndërkombëtarë të armatimit, Serbia është i vetmi vend në Evropë që zotëron raketa CM-400, ndërsa Kina është furnizuesi më i madh ushtarak i saj.
Blerja e armëve nga Kina është pjesë e forcimit të marrëdhënieve mes Pekinit dhe Beogradit, të cilat zyrtarët e të dyja vendeve i kanë cilësuar si një “miqësi të çeliktë”.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht Serbinë për rreziqet e thellimit të bashkëpunimit ushtarak me Kinën, veçanërisht duke pasur parasysh se Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE.
Sipas Gjokiqit, ka disa arsye pse Serbia i drejtohet Kinës për furnizim me armë.
“Kina imponohet si një alternativë e besueshme, sidomos nëse kemi parasysh se armatimi i saj është më i lirë se ai perëndimor”, thotë ajo.
Gjokiq shton se ekzistojnë edhe arsye politike pse Serbia nuk mund të blejë sisteme më të avancuara të armatimit nga SHBA-ja - një nga eksportuesit më të mëdhenj të armëve në botë.
“Duke qenë se Serbia nuk është anëtare e NATO-s, ajo nuk konsiderohet partnere e besueshme për SHBA-në. Kur bëhet fjalë për sisteme më të sofistikuara, si avionët luftarakë apo sistemet e mbrojtjes ajrore, SHBA-ja ua shet ato partnerëve të saj”, shpjegon Gjokiq.
Sipas saj, armatimi kinez është zhvilluar sipas modelit të armatimit sovjetik, të cilin Serbia tashmë e zotëron, prandaj “nuk është e vështirë të integrohet” në arsenalin ekzistues.
Përveç raketave, Ushtria e Serbisë mori në vitin 2020 edhe dronët kinezë CH-92A.
Kjo ishte blerja e parë e armatimit nga Kina që u përfshi në përbërjen luftarake të forcave të armatosura serbe.
Më pas, Serbia bleu edhe dronët luftarakë CH-95, si dhe sistemet kineze të mbrojtjes ajrore FK-3 dhe HQ-17.
Blerjet e armatimit kinez nga Serbia nuk kanë kaluar pa reagime.
Në qershor, Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) dënoi ashpër blerjen e raketave kineze CM-400, duke vlerësuar se një veprim i tillë bie ndesh me politikën e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Sipas dokumentit të miratuar nga komiteti, kjo blerje “ngre pikëpyetje serioze për orientimin gjeopolitik të Serbisë”.
Në anën tjetër, në një seancë të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, që u mbajt në dhjetor të vitit 2025, u vlerësua se Rusia dhe Kina kontribuojnë në rritjen e paqëndrueshmërisë në rajon.
Kongresisti republikan, Keith Self, tha se Kina po e zgjeron ndikimin e saj përmes stërvitjeve ushtarake dhe furnizimit të Serbisë me armë.
Analisti serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, vlerëson se blerja e armatimit kinez është një mesazh i fortë politik në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian presin që Serbia të zvogëlojë nivelin e marrëdhënieve me Kinën dhe Rusinë.
“Kjo bie ndesh me atë që Serbia deklaron zyrtarisht, pra me përkushtimin e saj ndaj integrimit në Bashkimin Evropian”, thotë Jakshiq për Radion Evropa e Lirë.
Njoftimi në mars i Vuçiqit për blerjen e raketave kineze CM-400 ngjalli shqetësime edhe në rajon.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha atëkohë se Zagrebi do të diskutojë me aleatët në NATO për këtë zhvillim.
“Do të bisedojmë me partnerët tanë në Aleancën Veriatlantike dhe do t’i paralajmërojmë për këtë lloj armatimi, i cili është një risi në arsenalin e Ushtrisë së Serbisë”, tha Pllenkoviq.
Vuçiq iu përgjigj duke deklaruar se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë armësh do të ketë Serbia”.
Ai, gjithashtu, pretendoi se Serbia po përgatitet për një sulm nga “aleanca që po formojnë Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.
Në mars të vitit 2025, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia - dy të fundit vende anëtare të NATO-s - nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Zyrtarët serbë e cilësuan këtë marrëveshje si kërcënim për sigurinë e Serbisë, ndërsa nënshkruesit i hodhën poshtë këto pretendime.
Vuçiq tha atëkohë se raketat kineze CM-400 kanë rreze veprimi prej 200 deri në 400 kilometra dhe i përshkroi ato si armë me fuqi të madhe shkatërruese.
Gjokiq thotë se reagimet e vendeve të rajonit ndaj këtyre blerjeve nuk janë të papritura, duke pasur parasysh se mbetet e paqartë se “çfarë synon të arrijë Serbia” me këtë armatim.
Jakshiq vlerëson se autoritetet serbe, përmes këtyre blerjeve, ndjekin një “politikë balancimi” dhe, njëkohësisht, hyjnë në një garë armatimi me vendet e rajonit.
“E gjithë kjo përshtatet me një politikë të shpenzimit joracional të parave. Me paratë tona, Vuçiq po blen mbështetje politike nga Pekini, Parisi e deri te Moska”, thotë Jakshiq.
Gjatë ekspozimit të armatimit më 28 qershor, Vuçiq u tha gazetarëve se Ushtria e Serbisë disponon raketa kineze, amerikane, ruse, franceze dhe serbe.
Të dhënat tregojnë se Serbia vazhdon të blejë armë nga burime të ndryshme, por, viteve të fundit, armatimi kinez ka zënë vendin kryesor në importet ushtarake të vendit.
Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime mbi Paqen (SIPRI), Franca renditet si furnizuesi i dytë më i madh i armëve për Serbinë, me 12 për qind të importeve, ndërsa Rusia është e treta, me 7 për qind.
Një nga blerjet më të mëdha ushtarake të Serbisë është ajo e 12 avionëve luftarakë Rafale nga Franca, me vlerë prej 2.7 miliardë eurosh.
Nga Rusia, Serbia ka blerë avionë luftarakë të përdorur MiG-29, helikopterë, sistemin e mbrojtjes ajrore Pancir-S1, si dhe raketat antitank Kornet.
Sipas të dhënave të SIPRI-t për vitin 2025, Serbia ndan më së shumti mjete për ushtrinë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, shumica prej të cilave janë anëtare të NATO-s.
Sipas Gjokiqit, shpenzimet e Serbisë për mbrojtjen janë në rritje të vazhdueshme që nga viti 2017, por arsyet për këtë nuk janë plotësisht të qarta.
Ajo thotë se dokumentet strategjike të Serbisë për mbrojtjen nuk e përcaktojnë qartë se cilat janë kërcënimet me të cilat përballet vendi.
“Nga njëra anë, ishte e pritshme që në një moment të rinovohej arsenali ushtarak. Por, nga ana tjetër, nuk kemi një shpjegim të qartë se për çfarë do të përdoret ky armatim”, thotë Gjokiq.
Zyrtarët serbë kanë deklaruar në disa raste se Serbia nuk ka synim të sulmojë askënd.
Gjokiq vëren se rritja e shpenzimeve për mbrojtjen është një prirje që shihet në të gjithë Evropën, por me motive më të qarta.
Ajo thotë se në disa vende është rritur perceptimi për kërcënimin që paraqet Rusia, sidomos pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës, në vitin 2022.
“Kur bëhet fjalë për vendet anëtare të NATO-s, vërehet edhe presioni nga Aleanca për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe për të dëshmuar angazhimin ndaj saj”, thotë Gjokiq.
Serbia është pjesë e programit të NATO-s, Partneriteti për Paqe, që nga viti 2006, por vazhdon të deklarojë se i përmbahet politikës së neutralitetit ushtarak.
Lini një Përgjigje