Tri mesazhet e Von der Leyenit për Kosovën

15 Tetor 2025, 21:40Rajoni TEMA
Tri mesazhet e Von der Leyenit për Kosovën

Nga Altina Marmullaku

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, pas takimeve që ka mbajtur në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ka përcjellur tri mesazhe për Kosovën.

Ajo përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’ ka thënë se Bashkimi Evropian është i përkushtuar për një të ardhme në të cilën të gjithë partnerët e Bashkimit Perëndimor janë pjesë e BE-së.

“Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të sigurta. Të depërshkallëzojë tensionet në shtet. Po ashtu, Kosova duhet t’i finalizojë hapat e domosdoshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, ka shkruar ajo në rrjetin social ‘X’.

Plani i Rritjes është pako për Ballkanin Perëndimor, por që Kosova nuk mund të përfitojë nga kjo pako për shkak të moskonstituimit të institucioneve.

Von der Leyen gjatë vizitës së saj zyrtare në Kosovë është takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe ministren në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Von der Leyen me Osmanin ka diskutuar për procesin e formimit të Qeverisë pas konstituimit të Kuvendit dhe e ka njoftuar atë për ndërhyrjet e Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë.

Përveç kësaj, Osmani potencoi rëndësinë që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar nevojën për të gjetur mënyra që do të çonin në thyerjen e bllokadës aktuale brenda BE-së.

Pas takimit me Osmanin, ajo ka takuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

As Von der Leyen dhe as Osmani dhe as Kurti nuk janë deklaruar për mediat pas përfundimit të takimeve.

Vizita e von der Leyen në Kosovë u zhvillua në kuadër të një turneu ballkanik. Para kësaj vizite ajo ishte në Shqipëri, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën. Ndërkaq, para se të nisej për në Kosovë, ajo zhvilloi takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në Beograd.

Më 8 gusht të këtij viti, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, e kishte informuar Qeverinë në detyrë të Kosovës se zyrtarë të bllokut evropianë nuk do të zhvillonin takime në ndërtesën qeveritare derisa vendi të ketë një ekzekutiv me mandat të plotë.

Lini një Përgjigje