Analisti Preç Zogaj, gjatë një komenti në emisionin “Trialog” në RTSH 1, moderuar nga Alba Alishani, vlerësoi lart protestën e zhvilluar në Sheshin “Skënderbej”, në lidhje me qëndrimin e katër luftëtarëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar atë si “e mrekullueshme dhe e madhe”.
Zogaj argumentoi se protesta ishte një zë i Shqipërisë drejtuar kundër asaj që ai e interpreton si “pengmarrje” të tyre, duke qenë se ata mbahen në Hagë për pesë vjet rresht.
Politizimi dhe eklipsimi i organizatorëve
Megjithatë, analisti solli në vëmendje edhe një aspekt negativ të zhvillimit të ditës. Sipas tij, pati një lloj “politizimi” që i bëri një dëm të vogël protestës.
“Ishte impenjimi i eksponentëve të PS-së, duke eklipsuar pak organizatorët real. U krijua përshtypja se po e bën PS. Por ishte përshtypje jo e saktë,” deklaroi Zogaj, duke theksuar se ky impenjim i zyrtarëve të partive e zbehu në një masë të vogël vullnetin e pastër të iniciatorëve të vërtetë.
Zogaj u shpreh se jo të gjithë mbështetësit e një proteste mund të jenë fizikisht aty, por kjo nuk e zvogëlon mbështetjen e përgjithshme.