
Një studim i Universitetit të Oksfordit ka zbuluar se COVID-19 mund të shkaktojë tkurrjen e trurit, ta zvogëlojë lëndën gri në rajonet që i kontrollojnë emocionet dhe kujtesën dhe të dëmtojë zonat që kontrollojnë shqisën e nuhatjes.
Shkencëtarët thanë se efektet u panë edhe te njerëzit që nuk ishin hospitalizuar me COVID-19.
“Ka prova të forta për anomalitë e lidhura me trurin në COVID-19”, thanë studiuesit në studimin e tyre.
Edhe në raste të lehta, pjesëmarrësit në hulumtim treguan “një përkeqësim të funksionit ekzekutiv” përgjegjës për fokusin dhe organizimin, dhe në një tru mesatar për nga madhësia tkurrjet ishin midis 0.2% dhe 2%.
Studimi i rishikuar nga kolegët dhe i botuar në revistën “Nature”, i hetoi ndryshimet e trurit në 785 respondentë të moshës 51-81 vjeç, truri i të cilëve u skanua dy herë, duke përfshirë 401 respondentë që u infektuan me COVID-19 midis dy skanimeve të tyre. Skanimi i dytë është bërë mesatarisht 141 ditë pas skanimit të parë.
Studimi u krye kur varianti Alfa ishte dominant në Britani të madhe dhe nuk ka gjasa ta përfshijë ndonjë të infektuar me variantin Delta.
Studimet kanë gjetur se disa njerëz që kishin COVID-19 vuajtën nga ajo që quhet “mjegulla e trurit” ose turbullira mendore që përfshin dëmtim të vëmendjes, përqendrimit apo shpejtësisë së përpunimit të informacionit dhe kujtesës.
Studiuesit nuk thanë nëse vaksinimi kundër COVID-19 kishte ndonjë ndikim në gjendjen, por Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar, muajin e kaluar, njoftoi se një rishikim i 15 studimeve zbuloi se njerëzit e vaksinuar kishin më shumë gjasa për të zhvilluar simptoma të COVID-19 të gjatë krahasuar me ata që nuk janë vaksinuar fare.
Lini një Përgjigje