Armë “Made in Albania”, tani mund t’i prodhojë e shesë edhe biznesi privat

20 Korrik 2024, 22:41Sociale TEMA
Armë “Made in Albania”, tani mund t’i prodhojë e

E shkuara jonë e prodhimit të armëve e ka lulëzimin në kohën e komunizmit, kur Shqipëria, herë me rusët e herë me kinezët, ngriti dhe fuqizoi një industri ushtarake.

Ajo u përqëndrua në tre uzina kryesore: Uzina e Poliçanit, ajo e Gramshit dhe e Mjekësit. Të tre këto qendra ndihmoheshin edhe nga kombinatet e tjera që i furnizonin me lëndë të parë.

Në Poliçan janë prodhuar kryesisht municione, nga fishekët tek murtajat.

Mjekësi kishte specialitet lëndët kimike që përdoreshin në ushtri, ndërsa Gramshi ishte i specializuar në prodhimin e pushkëve.

Qemal Kazaferi ka qenë përgjegjës në Uzinën e Policanit për mirëmbajtjen.

“Kjo është një nga armët më të veçanta të prodhuara në Shqipëri, për shkak edhe të historisë së saj. Një automatik i ngjashëm ju kap në vitin 1982 Xhevdet Mustafës, një të arratisuri që u kthye nga Amerika për të vrarë diktatorin Enver Hoxha. Për disa vite, uzinat shqiptare u përpoqën ta kopjonin. Imitimi ishte i vështirë, dhe u prodhuan rreth 300 kopje, por nuk pati ndonjë sukses të madh. Megjithëtë, ngel një armë e rrallë.

Në vitet e demokracisë, thuajse u ndal procesi i prodhimit dhe aktiviteti u përqëndrua tek demontimi.

Pas ngjarjes tragjike të Gërdecit në vitin 2009, institucionet kanë qenë të përmbajtura në hedhjen e hapave drejt rikthimit të industrive të armatimit.

Por koha sjell sfida të tjera”, deklaroi gazetarja e Euronews Albania, Esiona Konomi.

Denis Deliu, që sot mban kostumin e deputetit të Partisë Socialiste, është një ish-ushtarak.

Ai ka qenë pjesë e misioneve në Afganistan dhe i njeh mirë armët, dhe rëndësinë e tyre në kohë paqeje e lufte.

Ai tregon pse sot, edhe Shqipëria, duhet të prodhojë armë si rajoni.

Shqipëria do të prodhojë armë, por si? Dy janë mënyrat, një përmes kompanisë shtetërore KAYO, dhe e dyta përmes sektorit privat. A do të mundë shteti të ofrojë siguri për të mos pasur trafik të armëve të paligjshëm apo për të shmangur një Gërdec të dytë?

Kompania shtetërore do të ngrihet përmes një ligji të veçantë, dhe do të ketë këtë qëllim:

“Shoqëria “KAYO” ka objekt veprimtarie projektimin, prodhimin, riparimin, demilitarizimin dhe tregtimin, brenda dhe jashtë vendit, të të gjitha llojeve të armëve ose pjesëve të armëve, përfshirë edhe armët ushtarake, municioneve, teknologjitë dhe pajisjeve ushtarake, si dhe çdo aktivitet të lidhur me këtë veprimtari, në funksion të politikave kombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes dhe rritjes së kapaciteteve ushtarake.”

Por paralelisht me ngritjen e kësaj kompanie tërësisht shtetërore, Shqipëria do të lejojë në këtë aktivitet të përfshihen edhe bizneset private.

Ndaj në Kuvend është depozituar për tu miratuar me shpejtësi, një projektligj i ri për Armët, i cili ndër të tjera parashikon ngritjen e Agjencisë së Industrisë Ushtarake.

Lëshon, rinovon, pezullon dhe revokon licencat për subjektet që merren me prodhimin dhe tregtimin e armatimit ushtarak;

Mban dhe përditëson regjistrin e subjekteve të licencuara dhe të armatimit ushtarak të prodhuar, të zhvilluar apo të tregtuar në Republikën e Shqipërisë;

Përcakton rregullat specifike që subjektet e licencuara duhet të ndjekin për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e produkteve e të shërbimeve të tyre, duke përfshirë kriteret për testimin dhe certifikimin e armatimit ushtarak, përpara se ato të hyjnë në treg;

Kjo agjenci do të jetë përgjegjëse edhe për sigurinë, që armët të mos trafikohen apo të mos përdoren nga krimi.

“Të gjitha subjektet shtetërore dhe private, të cilat ushtrojnë veprimtari brenda fushës së zbatimit të këtij ligji, ushtrojnë përgjegjësinë dhe kujdesin e duhur për parandalimin e ndalimin e akteve korruptive, të përvetësimit të paligjshëm të interesave, të shpërdorimit dhe trafikimit të armatimit ushtarak, të përhapjes së tyre në masë, të akumulimit të paligjshëm të armëve që mund të përdoren nga rrjetet e krimit të organizuar apo të përdoren për akte terrorizmi, agresioni të brendshëm apo ndërkombëtar ose shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare”.

Por a ka siguri futja e privatëve në këtë industri?

Por a ka Shqipëria lëndë të parë, dhe burime njerëzore të përshtatshme? Ekspertët e kohës, sugjerojnë se teknologjia e trashëguar nga komunizmi është e vjetëruar dhe e degraduar, ndër vite lënda e parë është shpërdoruar ndërsa stafi nuk ka kualifikim që i përgjigjet sfidave të kohës.

Hera e parë që u fol për riprodhimin e armëve në Shqipëri, ishte këtë pranverë, kur Presidenti Zelensky, gjatë një Samiti në Tiranë, kërkoi armë nga Ballkani.

Por ku janë vendet e rajonit me industrinë e armëve?

Serbia ka industrinë më të madhe të armëve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo ka të licencuara rreth 371 kompani për këtë sektor, me një vlerë totale prej 1.23 miliardë dollarë. Armët e saj eksportohen deri në SHBA.

Edhe Bosnjë-Hercegovina trashëgoi një industri nga Ish-Jugosllavia. Në të kaluarën, rreth 51% e prodhimit të armëve që prodhoheshin në Jugosllavi vinin pikërisht nga Bosnjë-Hercegovina. Maqedonia e Veriut po ashtu trashëgoi një uzinë nga Ish-Jugosllavia, e cila arrin të prodhojë kryesisht fishekë./Nga Esiona Konomi

3 Komente

  1. U
    Ushtari i mirë Shvejk

    Fatkeqësisht të gjithë ministrat e mbrojtjes në AL të viteve të fundit (pas 1992). Kanë qenë ministra që emëruesin e përbashkët kanë pas "lekun" dhe për ti dhënë ton ushtarak po them "lekë me garuzhde". Por asnjëri prej tyre nuk ka qenë I fokusuar në strategji agatgjata kombëtare. Të jemi të sinqertë nuk ka edhe pse kaq shumë sidomos të prirur nga parimi i të bërjes lekë dhe jo ideale patriotike. Por ndryshe nga të parët që gjithkush morri nga një epitet se si vodhi apo shkatëroi ushtrinë. Si psh ushtria e Zhulalit, apo sesi bëri lekët e para Majko. Apo Luan orizi. Bën- computer përgjuesi, apo Fatmir Gërdeci.. Në ndryshim nga ministrat e mëparshëm ushtarak që e kishin pjesën e tyre nëpër tendera e se si të tjetersonin pronat ushtarake apo asetet e ushtrisë që në realitet sollën degradim galopant. Këta të më të fundit janë më të sofistikuar. Pasi e kanë kuptuar se nuk mundem më të dalin shumë hapur se konsumohen dhe degradohen shpejt si dhe është rritur rreziku. Kanë filluar të merren më gjëra më "strategjike" dhe afat grata, gjithmonë për të bërë lekë. Por siç e thashë jo më më gjëra që konsumohesh lehtë. Ku hyn edhe gllabërimi i industrisë ushtarake. Duke filluar nga Mrika rritur me Qershinë, e dalë hapur me Pe-pambukun. Pse kjo gjë. Për arsyet që thashë më sipër. Tanimë duke qenë se konsumi është tepër i madh e SPAK tek dera. Kërkojnë të bëjnë kompani guacka ku ose pronarë do jenë vetë ose aksionerë. Kështu garantojnë fitime dhe parë edhe kur të mos jenë më ministra. Pasi është shumë vështirë ose e pamundur të bësh parë sot kur blen një helicopter aq më tepër një Blackhawk. Apo një anije apo një aeroplan apo 100 autoblinda. Tani sytë janë tek kompanitë që do të sigurojnë, marrëveshje koncensionare oligopolistike ose monopolistike më shteti garantoj me afate të gjata. Nqs, SPAK priret nga parimi "ndiq paranë". Është shumë e qartë se paret janë në këto marrëveshje...! Pasi ndryshe nuk ka se si shpjegohet . Kishim diçka (mirë ose keq).por e shkatëruam, që t'ja fillojnë nga e para... me privat, në toka apo godina ushtarake falas, më kontrata më shtetin... Nuk asnjë shpjegim veçse këta do të jenë aksionerë indirekt në to!

    Përgjigjjuni
    1. X
      XhaFCK

      Shtetet fqinje qe i mbajten dhe qe i rinovuan fabrikat e prodhimeve ushtarake, ishin shtete idiote. Neve qe i shkaterruam jo vetem uzinat e armatimit, por edhe te gjitha atmet, jemi me te zgjuarit e rajonit. SPAK duhet te ndalet per kete kasapane we beri Sali Brisha me kompani ne shkaterrimin e armatimeve luftarake.

      Përgjigjjuni
      1. P
        Parruca

        Uzina e Mjekesit nder te tjera prodhonte eksplozive or ti shoq. Dhe ne Gramsh nuk prodhoheshin vetem pushke. Sa per automatikun e Xhevdetit pas perpjekjesh titaneske (a thua po dergonim njeriun ne Hene), arritem te prodhojme nje automatik qe i shtremberohej tyta nga qitja.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje