
Grupi BALFIN ka ka organizuar sivjet për herë të parë një kampionat mini-futbolli per punonjësit e kompanive të tij. BALFIN Football League ka zhvilluar tashmë dy javët e para. Thirrjes për pjesëmarrje në kampionat iu përgjigjën mbi 140 punonjës nga kompani të ndryshme të Grupit BALFIN, duke formuar 9 ekipe: BALFIN HQ (administrata qendrore), BALFIN IT, ACREM, Jumbo, Mane TCI, Neptun Albania, Scan TV, SPAR Albaia, dhe Tirana Bank.
Pas zhvillimit të dy javëvë të para, kampionati udhëhiqet nga Tirana Bank, e cila kryeson me pikë të plota (6), e ndjekur nga Jumbo, që ndodhet në kuotën e katër pikëve.
I nisur si Klub Social, një bashkim vullnetar i punonjësve mbi një tematikë interesi të përbashkët, që më pes merr mbështetjen e Grupit për tu realizuar, kampionati është organizuar në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit. BALFIN Football League shënon organizimin e parë të kësaj shkalle në Shqipëri.
Të motivuar nga interesi i shumë punonjësve për të luajtur futboll me kolegët, themeluesit e Klubit Social të Futbollit arritën ta kthenin atë në një kampionat të mirëfilltë me arbitra profesionistë, seanca stërvitore dhe ndeshje të organizuara.
"Ne themeluam kampionatin e futbollit për dy arsye: për të përfshirë më shumë kolegë në ndjekjen e një stili jetese të shëndetshëm, si dhe për t’u socializuar dhe rritur frymën e të qenit ekip. Për këtë qëllim u krijuan BALFIN Social Clubs. Kampionati i futbollit është një shtysë dhe një dëshmi e prekshme se klube të tjera të tilla mund të krijohen dhe do të mbështeten nga BALFIN. Mjafton nisma e lirë e secilit punonjës. Fakti që ky bashkëpunim vjen me Federatën Shqiptare të Futbollit është një vlerë e shtuar dhe diçka që shkon përtej asaj që kishim parashikuar apo pritur në fillim. Jemi munduar të organizojmë gjithçka në detaje, në mënyrë që ecuria të jetë sa më e mbarë”, tha Sokol Kondi, Menaxher i PR dhe eventeve në Grupin BALFIN, njëherazi organizator i BALFIN Football League.
39 ndeshje në total do të zhvillohen përgjatë 12 javëve, me një ceremoni të veçantë pas finales. Por, surpriza të tjera presin.
“Ky aktivitet është i rëndësishëm sepse ne qëndrojmë në formë, krijojmë njohje të reja dhe largohemi nga monotonia e përditshme. Për më tepër, ekipi fitues i BALFIN Football League do të ketë mundësinë të marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar të Futbollit 5x5 të FSHF, ku marrin pjesë 150 skuadra nga e gjithë Shqipëria”, tha Jurgen Demneri, Drejtor i Futbollit Amator në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Nga zhvillimi i ndeshjeve të para që zhvillohet në një kompleks sportiv në Tiranë, prania e mjaft tifozëve dhe diskutimi i kampionatit në përditshymëri, kanë qenë dy nota mbresëlënëse për t’u mbajtur shënim.
Grupi BALFIN është një mbështetës entuziast i sporteve dhe klubeve sociale të ngritura nga punonjësit. Dhe kur këto të dyja bashkohen, arrihen gjëra pozitive. Një shembull është BALFIN Runners Club – një klub i organizuar i entuziastëve të vrapit që promovojnë një mënyrë jetese aktive dhe ofrojnë mbështetje për kauza sociale, si në rastin e Maratonës së Tiranës vitin e kaluar, ku vrapuan rreth 40 veta. Nga ana tjetër, Kampionati i Volejbollit është një traditë historike dhe një organizim i dalluar brenda Grupit BALFIN, i cili këtë vit shënon edicionin e 9-të, dhe ku ekipet kanë një përbërje mikse djem/vajza, i cili gjithashtu organizohet në bashkëpunim me institucione profesionale sportive.
Lini një Përgjigje