U tha se do të ndërtohej në Shqipëri, Britania marrëveshje me Ruandën për kampin e refugjatëve

14 Prill 2022, 17:41Sociale TEMA

U tha se do të ndërtohej në Shqipëri, Britania

Njerëzit që kërkojnë azil në Mbretërinë e Bashkuar do të fluturojnë 4 mijë e 500 milje drejt Ruandës.

Kjo si pjesë e një plani masash nga Qeveria britanike ndaj emigrantëve të paautorizuar, që priten të publikohen nga kryeministri, Boris Johnson.

Kështu do të vërtetohet edhe deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili vitin e kaluar paralajmëroi se në vendin tonë nuk do të ketë një kamp për refugjatët që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar.

“Shqipëria nuk do të jetë kurrë një vend, ku vende shumë të pasura do të krijojnë kampe për refugjatët e tyre. Asnjëherë!”, tha Rama.

Vetë sekretarja e Brendshme, Priti Patel udhëtoi për në vendin e Afrikës Qendrore të mërkurën pasi finalizoi një “partneritet për migracionin dhe zhvillimin ekonomik”.

Vitin e shkuar, media prestigjioze, si “The Times”, “The Guardian” dhe “The Sun”, shkruanin se Qeveria britanike po kryen bisedime të fshehta me atë shqiptare.

Madje ato bënë me dije edhe planin e pritjes, ku çdo emigrant, që vjen ilegalisht në Britani nëpërmjet varkave të vogla, do të dërgohet në Shqipëri brenda shtatë ditëve dhe kjo do t’i kushtojë 100 mijë paund çdo azilkërkuesi.

Nga ana tjetër, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, i hodhi poshtë këto lajme.

“I njëjti lajm i rremë i vjetër këtë herë në faqen e parë të një gazete të respektuar si ‘The Times’!”, shkruan ajo në median sociale Twitter.

Mediat britanike shkruajnë të bindura se ky kamp do të ndërtohet, pasi ato kanë komunikuar me zyrtarë më të lartë të Qeverisë Britanike, duke përmendur këtu zëvendëskryeministrin Dominic Raab.

Duket se saga e ndërtimit të një kampi do të vijojë më gjatë.

Vetëm disa muaj më parë, “The Sun” do të shkruante të njëjtën gjë, të cilën Xhaçka dhe kabineti qeveritar do ta mohonte kategorikisht.

Duket si një lajm, i paralajmëruar që në vitin 2003, kur media shtetërore britanike, “BBC”, do të shkruante një artikull mbi financimin dhe ngritjen e një kampi azilantësh në Ballkan, asokohe në Kroaci.

Kjo për të pritur të gjithë emigrantët e jashtëligjshëm që kalonin detin për nga shteti ishullor evropian, Britania e Madhe.

Po në atë datë, gjiganti mediatik britanik, “The Guardian” do të pasqyronte në botë planin sekret të anglezëve, të cilët e kishin ngritur tashmë kampin në vendin verior ballkanik.

Gjithë ky zhvillim ndodhte një dekadë përpara aderimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian!

“BBC-ja” e shkruante shkurtimisht, por qartësisht: Kampe azilantësh si ai në Kroaci, mund të ngrihen në shtete, si: Rusia, Bjellorusia, Rumania, Bullgaria, Ukraina dhe në fund, Shqipëria.

Mirëpo, fakti është se, kroatët e refuzuan idenë e bisedimeve për një kamp të tillë.

Kjo tashmë është një bisedë që rikthehet thuajse dy dekada më pas, pavarësisht faktit se ka mohimin absolut të Qeverisë shqiptare mbi çështjen.

1 Komente

  1. J
    John Qelbashi

    Duket sikur Rwanda do kete Kuksin e Ri?!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje