Vrasja e Roskovecit hap sërish plagën e "femicidit" në Shqipëri

12 Prill 2022, 14:52Sociale TEMA

Vrasja e Roskovecit hap sërish plagën e "femicidit" në

Në fshatin Vidhistë të Roskovecit është regjistruar një tjetër incident i rëndë “me prapavijë gjinore”.

Një 61-vjeçar ka vrarë bashkëshorten e të birit në orët e para të mesditës, sipas njoftimit të Policisë.

Nga të dhënat paraprake, bëhet me dije se 30-vjeçarja jetonte me bashkëshortin “pa pëlqimin” e të atit.

Shkak për këtë ishin bërë tre fëmijë nga një martesë e mëparshme e viktimës.

Kjo ngjarje e rëndë trondit sërish Shqipërinë dhe hap një plagë si ajo e “femicidit” – vrasje apo krime kundrejt femrave me dashje.

Në Shqipëri, gjatë pandemisë, incidenca e abuzimit fizik ose verbal nga bashkëshorti ose partneri është rritur me 79 për qind të grave ose vajzave.

Publikimi më i fundit i Kombeve të Bashkuara, nxori në pah se dhuna ndaj grave dhe vajzave është intensifikuar pas pandemisë.

29 për qind e grave ose vajzave shqiptare raportuan se ato ose një grua që njohin, kanë përjetuar një formë të dhunës gjatë periudhës prill-shtator të vitit 2021.

Sakaq, 53 për qind e grave apo vajzave shqiptare raportuan se kanë përjetuar ndonjëherë një formë të dhunës ose kanë njohur një rast të afërt.

 Më tej, raporti zbulon se 16 për qind e grave apo vajzave shqiptare ndihen më pak të sigurta në shtëpi pas COVID-19.

Shqipëria kryeson renditjen e grave që kanë raportuar për shfaqjen ose kërcënimin e dhunës fizike në shtëpi me 34 për qind.

Nga këto, 29 për qind janë lënduar nga të rriturit e tjerë në familje dhe 38 për qind janë raportimet e lëndimeve të grave të tjera në familje.

COVID-19 e ka përkeqësuar më shumë konfliktin mes të rriturve në familjet shqiptare për 23 për qind të tyre.

Në Shqipëri, 22 për qind e grave raportuan se COVID-19 i bëri të ndiheshin më pak të sigurta gjatë lëvizjeve në orët e mbrëmjes.

29 për qind e grave shqiptare mendojnë se dhuna me bazë gjinore në komunitet është rritur gjatë vitit pandemik.

Lini një Përgjigje