
Shqipëria po përballet me një fluks vizitorësh të cilët dëshirojnë të përjetojnë një eksperiencë në destinacionet turistike kryesore të Ballkanit. Krahas trashgimisë historike dhe kulturore, pasioni i të huajve dhe turistëve vendas po rritet ndjeshëm dhe për turizmin bregdetar.
Në destinacionet tona bregdetare, në subjektet private, konstatohet një rritje cilësore e shërbimeve të mikpritjes të cilat janë të lidhura ngushtësisht me shërbimet që ofrohen në zonat e plazheve.
Përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë edhe në shërbimet përgjatë plazheve nuk korrespodon me plotësimin e kërkesave të sigurisë së jetës në det të pushuesve.
Për fat të keq, kemi pasur ngjarje me humbje jete të pushuesve për shkak të mosekzistencës së vrojtuesve apo rojeve bregdetare në plazhet dhe bilanci tragjik i mbytjes së pushuesve në brigjet e vendit tonë po bëhet çdo vit e më shqetësues.
Aktualisht, kuadri ligjor për funksionimin e plazheve detyron subjektet të lidhin kontratë me një vrojtues plazhi për çdo 80 m (nga 250 m që ka qenë e parashikuar në rregulloren paraardhëse), pra në cdo distancë 80 m vijë bregdetare, do të ndodhet një kullë vrojtimi me pajisjet e duhura dhe një vrojtues i trajnuar dhe me uniformë.
Vrojtuesi i plazhit duhet të ushtrojë detyrën gjatë gjithë kohës që stacioni i plazhit të jetë i hapur (7.00- 20.00).
Deri më sot, nga monitorimet e medias si dhe nga problematikat e evidentuara, kullat e vrojtimit janë formale, pa vrojtues funksional dhe pa pajisje.
Subjekti, me qëllim uljen e shpenzimeve si dhe për të garantuar në vazhdimësi lidhjen e kontratës së qirasë ka trajnuar dhe kontraktuar si vrojtues një anëtar nga stafi ose familja i cili ndërkohë ka funksione të tjera në biznes.
Kullat janë bosh në shumicën e kohës dhe jeta e pushuesve në det është në dorë të fatit.
Subjekti, stacion plazhi, ka marrë me qira vetëm sipërfaqen e rërës dhe për përdorimin e saj ka detyrimin për të zbatuar një sërë kushtesh teknike si llojin e cadrave, distancën, distancën nga vija bregdetare, koshat e plehrave, vendosjen e dhomave të veshjeve /zhveshjeve, të dusheve, tualeteve etj.
Sipas VKM së plazheve subjekti gjithashtu duhet të garantojë sinjalistikën tokësore e detare me bova uji, për rrethimin e zonës takuese të notimit, të ndodhur në vazhdimësi të kufijve të zonës së plazhit.
Pra subjekti stacion plazhi duhet të bëjë investime të konsiderueshme në rërë, det dhe në burime njerëzore për të përfituar këtë aktivitet për një periudhë 1vjecare në 200 m2 sipërfaqe, sigurisht edhe kundrejt një pagese qiraje jo të ulët.
Rezultatet e mbytjeve në vendin tonë janë disa herë më të larta se në vendet europiane, ku pavarësisht ripërsëritjes së kësaj problematike këmbëngulet në vijimin e marrjes së masave nga ana e subjekteve private duke i etiketuar ato si të vetmit përgjegjës për krijimin e kësaj situate, duke arrestuar të gjithë punonjësit që ndodhen në vendngjarje e të tjera çudira të ngjashme.
Pyetja e natyrshme që lind është: mos ndoshta ka ardhur koha që shteti shqiptar duhet të marrë përsipër garantimin e jetës së turistëve për të cilët shpenzon miliona euro promocion duke i ftuar ata të vijnë në Shqipëri dhe më pas jetën e tyre e le në dorë të një subjekti plazhi të cilët gjatë gjithë këtyre viteve kanë treguar se nuk e menaxhojnë dot këtë siguri?
Subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e stacionit të plazhit janë taksapagues të konsiderueshëm sezonal dhe nga vjelja e kësaj takse nuk po investohet qoftë edhe një qindarkë nga pushteti lokal për shpëtimin e njërëzve në rrezik mbytje.
Subjektet private po tregohen masivisht të papërgjegjshme për garantimin e këtij standardi dhe duhet një ndërhyrje emergjente nga qeveria për ta centralizuar këtë proces.
Ajo duhet të sigurojë jetën e njerëzve në det, duke ngritur dhe pajisur kullat e vrojtimit, duke punësuar dy vrojtues plazhi që do të punojnë sipas një orari të përcaktuar për të mbuluar të gjithë orarin që plazhet tona frekuentohen, duke shmangur njëkohësisht dhe çudinë e rradhës që çdo subjekt privat ka të punësuar vetëm një vrojtues plazhi i cili monitoron situatën nga ora 7:00 deri në orën 20:00, pa pushim.
Vrojtuesit e plazhit duhet të jenë caktuar për mbulimin e sipërfaqeve të qarta dhe të përballueshme nga ata, duke bërë në këtë mënyrë që garantimi i këtij standardi të sigurohet dhe të ulet ndjeshëm numri i viktimave, duke shmangur situatën aktuale mbi mungesën e plotë të ndihmës ndaj rrezikut të njohur që ekziston për jetën e pushuesve që lahen në ujërat e brigjeve tona.
E thënë troc, shërbimin e vrojtuesit të plazhit duhet tw jetw i centralizuar, duke u menaxhuar ose nga bashkia përgjegjëse për territorin ose një institucion i ri, i krijuar, i ngjashëm më Policinë Detare.
Përgjegjësia për sigurinë e jetës së turistëve duhet të jetë shtetërore dhe jo nga një subjekt i lodhur stacion plazhi.(Aulona Pasho)
Nuk ka shtet se po te kete shtet plazhet e gjithe btegdetit duhet te jene publik
Po kur shkojme te dhjesim a duan shqiotaret nje roje se nuk I dihet kesaj qevwrie te koruptuar