Edhe protestat me “VIP zone”, mortja që s’ju ha

1 Shtator 2022, 08:52Sociale TEMA

Edhe protestat me “VIP zone”, mortja që s’ju ha

Nga Vitjon Nina

Nuk ishte protesta e Fifi-t (Filloreta Raçi), por protestë “fiu fiu”, të jemi të qartë për këtë!

S’duhet të kalojnë as tre ditë nga organizimi i Sunny Hill Festival për të shkuar sërish tek “VIP zone”, që jo vetëm s’ka VIP-a, por duket se më shumë dalim për prostituim pseudo-intelektiv se sa për përdhunim të prapambetjes kolektive në çështje aq të ndjeshme sa siguria e vajzave në rrugë.

E patë vijën e parë në protestë? Kishte ndonjë fytyrë nga ata, të cilët nuk i kemi parë ndonjëherë në ekran?

Po raportimet e mediave i patë? “Shikoni ‘VIP’-at që morën pjesë në protestën kundër dhunimit të 11-vjeçares”.

Ishin rreshtuar dordolecët në vijë të parë, që kamerat t’i fokusonin.

Fifi-t, si e çiltër dhe e çlirët që është, nuk iu ndenj pa ia plasur një shpërthimi protagonist, si ato të sajat, kur nuk e ruante dot as “vëllai i madh”.

Nuk i erdhi kot shpërthimi edhe Fifit jo, sepse “i hoqën meritat”. Asaj thjesht nuk iu ndenj dot pa e thënë se organizimi ishte i saji, se përdhunimi kishte ndodhur në qytetin e saj, se vajzat në rrugët e qytetit të saj kanë frikë “me dal jashtë”.

As bluza që kishte veshur e pankartat që kishte improvizuar, të cilat shkruanin me të madhe “JOOOOO”, nuk ia mbajtën në bark e nuk e lanë ta kapërdijë çastin, për hir të protestës.

Çakejtë e tjerë kishin ardhur t’ia merrnin “spotlight”-in…dhe ia morën në fakt.

Rebelimi ndodhi mes vetes dhe ajo linjë e parë VIP-ash, u kthye në qesharake, me videot që bënë xhiron e mediave, kështu që edhe kauza e protestës, ç’e do, u harrua shpejt, si zakoni krahinor këtej nga ne.

Po ja si ta them, shiheni pak edhe protestën në Prishtinë.

E dëgjuat se kishte shkuar edhe MC Kresha me Lyrical Son, apo Dafina Zeqiri, apo ndoshta edhe të tjerë artistë, të cilët nuk e përmendën fare që kishin shkuar?

Kamerat e Albanian Post, ashtu shkarazi, e kapën dyshen e PINT-it në mes të turmës. Të mos ishte për gjatësinë e flokët e Kreshës, Lyrical Son nuk do e kishim pikasur aspak.

Ky është ndryshimi, nëse ende nuk e keni kuptuar, sepse kauza, nuk është angazhim protagonist, e as protagonizëm i angazhuar.

Është marshim – jo funebër – por vajtues.

Ju vajin as për vete nuk e keni më ndoshta. E mbani për krijimin e barrierave VIP, sepse jeni askush dhe situata të tilla, dritë ju japin…por në fund ju dhjesin!

Lini një Përgjigje