I nxehti përvëlues drejt rënies. Meteorologët: Në fundjavë, më freskët

19 Korrik 2023, 13:30Sociale TEMA

I nxehti përvëlues drejt rënies. Meteorologët: Në

Prej disa ditësh tashmë, vendi ynë ndodhet nën “pushtetin” e temperaturave shumë të larta, situatë ku ndodhet e gjithë Europa. Kjo e mërkurë (19 korrik) ka shënuar rekordin e temperaturave, por duket se fundjava do të na sjellë pak lehtësim.

Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEUM) tha për RTSH 24 se nga e premtja pritet një zbritje me 2 gradë dhe po ashtu të njëjtat temperatura do të na shoqërojnë edhe të shtunën dhe të dielën.

Sot dhe nesër presim të kemi temperaturat maksimale të regjistruara deri tani. E enjtja dhe e premtja do vazhdojnë të nxehta, të premten do kemi një zbritje me 2 gradë dhe të shtunën dhe të dielën do kemi një ulje të lehtë me 1-2 gradë, por mjaftueshëm për t’i dhënë një frymëmarrje temperaturave të ajrit që kanë qenë goxha të larta. Nuk presim që temperaturat të shkojnë në nivelet si në Itali apo Spanjë. Deri në 40 gradë, janë temperatura që nuk bëjnë ndonjë çudi për vendin tonë në muajin korrik. Ndër vite janë regjistruar temperatura 38-39 gradë. Nëse do kishim tejkaluar temperaturat 42 gradë, do të ishte diçka ekstreme. Temperaturat më të larta janë regjistruar në Kuçovë, Berati, Fieri, Tirana”, u shpreh Gjoni.

I nxehti përvëlues vjen si pasojë e të nxehtit Afrikan që ka përfshirë prej disa ditësh jo vetëm vendin tonë por edhe pjesën më të madhe të Europës jugore. Organizata Botërore Meteorologjike ka bërë me dije se vala e të nxehtit do të intensifikohet, ndërsa qendra e koordinimit të reagimit emergjent të BE-së lëshoi ​​alarme të kuqe për temperatura të larta në pjesën më të madhe të Italisë, Spanjës verilindore, Kroacisë, Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës jugore dhe Malit të Zi.

Në Itali, ishulli i Sardenjës regjistroi temperatura 44 gradë celsius dhe Roma arriti në 40 gradë celsius të martën, ndërsa Ministria e Shëndetësisë lëshoi ​​alarme të kuqe për 20 nga 27 qytetet kryesore të vendit.

Lini një Përgjigje