Arsyet pse u kthye, Kryepiskopi Joan: Thirrja për t’i shërbyer Zotit dhe Shqipërisë ishte më e fortë se Amerika

12 Janar 2026, 08:20Sociale TEMA
Arsyet pse u kthye, Kryepiskopi Joan: Thirrja për t’i shërbyer

Kryepiskopi Joan ka folur gjatë një interviste me gazetarin Ferdinand Samarxhi se si e mori vendimin për t'i shërbyer Kishës Ortodoksëe në Shqipëri.

Imzot Joani u shpreh se gjatë viteve që ka qëndruar në Amerikë e kishte gjithmonë bindjen se do të kthehej në vendin e tij sapo të hapej kisha.

Fortlumturia e Tij tregoi një bisedë që kishte pasur me Kryepiskopin Anastasin para se të kthehej në Shqipëri.

“Prindërve ua kam treguar shumë vonë dhe ato nuk ishin kundra asaj gjëje por meraku i prindërve është gjithmonë i madh dhe në atë kohë frika ishte shumë e madhe por besoj na ka ruajtur Perëndia. Unë them shpesh se diçka që hap Zoti nuk mund ta mbyllin njerëzit. Nëse ndizet kandili brenda shpirtit të njeriut, ndizet dashuria për Perëndinë, rruga do të jetë me kryqin por edhe me gëzimin e ngjalljes. Ruga nuk mbaron te kryqi por te ngjallja. Në atë kohë njerëzit e kuptonin gjendjen e rëndë, por gëzimi që të jep një jetë fetare e mposht atë gjë. Edhe në atë kohë kur dukej e pabesueshme që dikush të bënte meshë. Na ka ruajtur Perëndia sepse koha ishte shumë e rrezikshme. 

U largova në vitin 1990, unë se bashku me Petro Zhejin morëm pashaportat dhe fillimisht shkuam në Itali. Nuk e kisha menduar asnjëherë që do të shkoja në Amerikë. Shkova në Amerikë si azilant në atë kohë me mendimin se atje ishin dy shkolla teologjike ortodokse. Nuk kishte shumë kandidat për priftërinj por unë i thashë në atë kohë nëse do hapej kisha në Shqipëri unë do të kthehem. At Arturi më ndihmoi dhe fillova studimet dhe ishte një përvojë shumë e rëndësishme dhe kur mora vesh që kisha ishte hapur mendova që të kthehem.

Në Amerikë nuk kishte nevojë për mua, ndërsa vendi këtu kishte nevojë, gjërat që mund të më jepte Amerika unë nuk i doja. Nuk doja pasuri, as komoditete. Arsyeja pse unë doja të bëhesha murg dhe prift ishte pikërisht për t’i shërbyer Zotit. Thirrja e vërtetë është t’i përgjigjesh nevojave që ka një vend aq sa mundesh. Gjithmonë duke qenë realist dhe të japim kontributin. Zoti nuk do nga ne të bëjmë të pamundurën. Atë e bën Ai. Zoti do që ne të bëjmë atë që është e mundur.

Gjatë kohës që isha student një program që kishim me At Arturin ishte të organizonim bibliotekën e Fan Nolit, ishte një bibliotekë shumë e pasur. Por në atë kohë kisha dëgjuar se në Shqipëri kishte ardhur një emisar, një nga profesorët më të dëgjuar në seminarin ku isha unë, më tha se ai që kishte ardhur ishte një mik i tij i vjetër dhe më tregoi për aftësitë dhe punët e Kryepiskopit në Afrikë si misionar. Dhe më mori Kryepiskopi në telefon. Kur i thash se sapo të mbaroja shkollën do kthehem u gëzua shumë. Erdha në momentin kur u bë fronëzimi i Kryepiskopit për një muaj në Shqipëri dhe në 1993 u ktheva dhe fillova punë si pedagog në seminarin tonë në Durrës”, u shpreh Fortlumturia e Tij." - tha ai mes të tjerash.