Popullsia e Shqipërisë ka shënuar një shtesë natyrore pozitive në tremujorin e dytë të vitit 2025, me 48 lindje më shumë se humbje jete në rang kombëtar, një tregues pozitiv, sidomos referuar shifrave për vendin tonë vitet e fundit.
Kryeqyteti vijon të jetë “motori” demografik i vendit, me një diferencë prej 691 lindjesh më shumë, i ndjekur nga Durrësi me 111 dhe Dibra me 49. Edhe Kukësi ka mbajtur ritmin pozitiv me 44 lindje më shumë se vdekje.
Në të njëjtën kohë, numri i vdekjeve ka rënë me 3.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me ulje më të fortë në Gjirokastër, ku u regjistrua gati 19% më pak humbje jete, dhe në Durrës me mbi 10%.
Ky zhvillim vjen pavarësisht se numri i lindjeve në rang vendi ka pësuar rënie me 7.4%, me tkurrje më të ndjeshme në Korçë me 26%, Vlorë me 19.8% dhe Berat me 15.3%.
Vetëm Kukësi ka sfiduar trendin negativ duke shënuar rritje të lindjeve me 6.5%. Megjithatë, shumica e qarqeve ende kanë bilanc natyror negativ: Korça me 226 humbje jete më shumë se lindje, Fier me 179 dhe Vlora me 132.
Këto shifra tregojnë se sfida demografike e vendit vazhdon, me përqendrim të popullsisë në disa zona të kufizuara dhe boshatisje graduale të tjerave.
Lini një Përgjigje