Pakujdesia që dogji gjithçka: Si një zjarr në oborr shkaktoi evakuimin e gjashtë fshatrave në Gramsh

12 Gusht 2025, 17:36Sociale TEMA
Pakujdesia që dogji gjithçka: Si një zjarr në oborr

Një zjarr i ndezur në një oborr shtëpie në fshatin Kullollas i mori jetën një 80-vjeçari dhe vuri në lëvizje të gjitha strukturat e emergjencës në Shqipëri.

Ngjarja tragjike, e konfirmuar nga autoritetet si pasojë e pakujdesisë, u përhap me shpejtësi të frikshme në terrenet e thata të bashkisë Gramsh, duke detyruar evakuimin urgjent të mbi gjashtë fshatrave.

Hetimet paraprake tregojnë se i moshuari kishte ndezur zjarr për të djegur mbeturina në kopshtin e banesës së tij.

Por flakët dolën jashtë kontrollit, të nxitura nga era dhe temperaturat ekstreme, duke përfshirë zona të tëra rurale në pak minuta.

Ai vetë nuk arriti të shpëtonte, duke u asfiksuar nga tymi i dendur — një viktimë e parë nga zjarret e kësaj vere në vendin tonë.

Tragjedia solli menjëherë ndërhyrjen e Forcave të Armatosura, policisë, zjarrfikësve dhe strukturave të emergjencës civile, të cilët po punojnë në kushte ekstreme për të frenuar përhapjen e zjarreve dhe për të evakuuar banorët e fshatrave Kullollas, Bletëz, Menkollarë, Ërmenj, Harunas dhe Zenelas.

Ky nuk është një rast i izoluar. Sipas Ministrisë së Brendshme, vetëm gjatë kësaj vere janë proceduar 120 persona për zjarrvënie, ku 21 prej tyre janë arrestuar për veprime të qëllimshme apo të pakujdesshme.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi zjarrvënien si një krim që duhet të barazohet me vrasje në Kodin Penal, ndërsa ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, u bëri thirrje prokurorive që të zbatojnë ligjin me rreptësinë maksimale ndaj autorëve.

Kodi Penal aktual parashikon deri në 15 vjet burg në rastet kur zjarri rrezikon jetë njerëzish ose shkakton dëme të rënda në mjedis. Por kërkesat për ashpërsim të ligjit po shtohen në raport me rritjen e rasteve.

Në shumë vende të botës, zjarrvënia, sidomos ajo që shkakton pasoja të rënda, dënohet rëndë.

Në Greqi, autorët e zjarrvënieve përballen me deri në burgim të përjetshëm.

Në Japoni dhe Kinë, kur flakët shkaktojnë humbje jete, ligji parashikon edhe dënim me vdekje.

Në Zvicër, nëse zjarri rrezikon jetë njerëzish, dënimi nis nga 3 vjet burg, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar, “aggravated arson” mund të sjellë burgim të përjetshëm.

Shqipëria po përballet 48 orët e fundit me dhjetëra vatra zjarri aktive në të gjithë vendin, me situata më të rënda në Finiq, Delvinë, Poliçan, Tiranë, Gjirokastër dhe Kolonjë.

Janë evakuuar banorë në disa zona, përfshirë fshatra në Poliçan, ndërsa forca të shumta tokësore dhe ajrore nga Shqipëria dhe vende partnere po punojnë për shuarjen e flakëve.

Operacionet vijojnë me mbështetje nga helikopterë shqiptarë, grekë, çekë, sllovakë dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërkohë, situata alarmante nuk kufizohet vetëm në Shqipëri.

Pothuajse 6 mijë njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në Spanjën veriore, qendrore dhe jugore, teksa vendi përballet me një valë të nxehti ekstreme, me temperatura që shkojnë deri në 44°C.

Shkencëtarët paralajmërojnë për një “koktej molotovi” klimatik, ku nxehtësia, era dhe thatësira krijojnë kushte perfekte për përhapjen e zjarreve në gjithë Evropën. Shqipëria nuk bën përjashtim, edhe prej faktorit njerëzor - edhe më i rrezikshëm se kushtet klimatike.

1 Komente

  1. L
    Lush Përplasi

    Strukturat e pushtetit vendor duhet të angazhohen maksimalisht për të trajtuar edhe mbeturinat e fshatit. Pothuajse të gjithë fshatarët i djegin mbeturinat ose i hedhin nëpër përrenj. Ndaj shteti para se të kërkojë llogari të krijojë kushtet e caktuara që asnjë nënshtetas të mos detyrohet të djegë mbeturinat e tij. Meqë ra fjala ça u bë me ato inceneratorët....

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje