Çmimi i dashurisë – A mund ta përforcojë paraja intimitetin?

24 Korrik 2025, 10:30Sociale TEMA
Çmimi i dashurisë – A mund ta përforcojë paraja

Na pëlqen të besojmë se dashuria dhe paraja iu përkasin dy botëve të ndryshme, që përjashtojnë njëra-tjetrën. Themi se intimiteti buron nga shpirti, ndërsa paraja e ka vendin në bankë dhe se, ndërsa e para është diçka e pastër, paraja është thjesht transaksionale dhe shpesh e gërryen intimitetin dhe dashurinë. Por, po sikur ky kufi kaq i qartë mes të dyjave të mos ketë ekzistuar ndonjëherë ?

E ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast, Smoki Musaraj – profesore e asociuar e antropologjisë në Universitetin e Ohajos dhe autore e librit “Tales from Albarado: Ponzi Logics of Accumulation in Postsocialist Albania" - vendos në pikëpyetje pikërisht këtë dallim që shpesh bëjmë mes parasë dhe marrdhënieve njerëzore. E mbështetur tek dekada kërkimi antropologjik – nga teoria i sociologes amerikane Viviana Zelizer rreth “blerjes së intimitetit”, tek vetë puna e saj studimore mbi remitancat dhe vlerën në Shqipërinë post-socialiste – Musaraj na fton të pyesim veten : Kur ekonomia zyrtare nuk arrin të ofrojë siguri për shumicën e njerëzve, a përcillen emocionet dhe detyrimet përmes parasë ?

Ajo na kujton gjithashtu se në shumë kultura, përfshi edhe atë shqiptare, paraja jo vetëm nuk e fshin intimitetin, por ndonjëherë e përforcon atë, duke riformësuar marrëdhëniet njerëzore. Si shembull, ajo përmend remitancat, një nga çështjet që ka studiuar edhe më gjatë në punën e saj kërkimore si antropologe.

"Ka shumë raste, për shembull, që një shkëmbim që bëhet nëpërmjet parasë, nuk e fshin intimitetin, por mund ta përforcojë. Shembulli që jap unë, është ai i remitancave, i dërgesave të parave nga emigrantët. Këto janë dërgesa parash, që shërbejnë edhe si pagesa, por edhe si dhurata dhe dhuratat zakonisht janë dhënie që riformësojnë marrëdhëniet shoqërore."

Ndërsa ekonomitë tona sa vijnë e bëhen më të ndërlikuara e më abstrakte, reflektimi i Musarajt na rikthen tek thelbi emocional i shkëmbimeve dhe ideja, disi e frikshme, se marrëdhëniet tona më të afërta, mund të kenë ndërkaq një çmim, ndonëse jo në vlerë monetare, por në domethënie.