VIDEO/ Ndërhyrje historike në Spitalin Memorial të Fierit: 99-vjeçari i nënshtrohet me sukses stentimit të arteries karotide

10 Dhjetor 2025, 11:19Sociale TEMA
VIDEO/ Ndërhyrje historike në Spitalin Memorial të Fierit:

Një arritje e rëndësishme për sistemin shëndetësor publik është shënuar në Spitalin Memorial të Fierit, ku u krye me sukses një ndërhyrje delikate dhe tepër e avancuar tek një pacient 99-vjeçar. Qemal Isufaj, i cili u paraqit në gjendje të rëndë disa ditë më parë, iu nënshtrua Angiografisë Cerebrale dhe stentimit të arteries karotide të djathtë – një procedurë e cila realizohet për herë të parë në një spital publik në Shqipëri.

Sipas stafit mjekësor, ndërhyrja kërkonte ekspertizë të lartë dhe koordinim të saktë mes ekipit të specializuar, pasi bëhej fjalë për një procedurë me rrezik të shtuar për shkak të moshës së avancuar të pacientit dhe kompleksitetit të gjendjes së tij. Megjithatë, falë profesionalizmit dhe përkushtimit të mjekëve dhe infermierëve, operacioni u përfundua me sukses dhe pacienti po tregon shenja të mira përmirësimi në ditët pas ndërhyrjes.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e ka cilësuar këtë rast si një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të kapaciteteve dhe procedurave të avancuara në sistemin publik shëndetësor, duke dëshmuar se trajtime që dikur kryheshin vetëm jashtë vendit apo në struktura private, tashmë po realizohen me standarde të larta edhe në spitalet shtetërore. 

Po ashtu ministria ka shprehur mirënjohjen e tyre ndaj të gjithë profesionistëve të mjekësisë që punojnë me përkushtim të pandalshëm, si dhe ndaj qytetarëve që u besojnë shërbimeve publike. Ky rast, sipas tyre, është një tjetër dëshmi se kujdesi shëndetësor cilësor dhe i barabartë është një prioritet i pandalshëm për të gjithë qytetarët, kudo që ata jetojnë. 

Në Spitalin Memorial të Fierit janë kryer edhe më herët ndërhyrje të veçanta dhe procedura të avancuara mjekësore, duke e kthyer këtë institucion në një qendër të rëndësishme të referencës rajonale. 

Lini një Përgjigje