Sa ndikim ka Kina, në Shqipëri?

14 Dhjetor 2022, 11:32Sociale TEMA

Sa ndikim ka Kina, në Shqipëri?

Një studim i ri mbi ndikimin global të Kinës e vendos Shqipërinë në fund të listës.

Ndërsa, Pakistani, Kamboxhia dhe Singapori janë përkatësisht në vendin e parë, të dytë dhe të tretë si “më të ekspozuarat” ndaj ndikimit të Pekinit.

Ndër 10 vendet më të ekspozuara ndaj ndikimit nga Kina, tetë janë në Azi.

Paraguaj, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria u renditën si “më pak të ndikuarat”.

Indeksi i Kinës 2022 eksploron ndikimin e Kinës në 82 vende duke u kërkuar ekspertëve t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me aktivitetet e Kinës në vendin e tyre.

Studimi u krye dhe u publikua nga rrjeti China in the World (CITW), një iniciativë e grupit kundër dezinformimit me bazë në Tajvan, “Doublethink Lab”.

Raporti bëri pyetje në nëntë fusha për të vlerësuar ekspozimin e secilit vend ndaj ndikimit kinez.

Fushat përfshinin median, akademinë, ekonominë, shoqërinë, ushtrinë, zbatimin e ligjit, teknologjinë, politikën e brendshme dhe politikën e jashtme.

Disa nga aktivitetet e Pekinit jashtë vendit përfshinin udhëtime me pagesë për zyrtarë qeveritarë, bursa për studentë, trajnime gazetarie, financime kërkimore, tregti, investime dhe bashkëpunim ushtarak.

Matja e ndikimit të Kinës

Raporti mat ndikimin përmes tre treguesve, ‘ekspozimit’, ‘presionit’ dhe ‘efektit’.

Ekspozimi ndaj iniciativave të Kinës jashtë vendit e bën një vend të prekshëm ndaj ndikimit të Kinës, për shembull, varësia ekonomike ose marrja e përfitimeve të tjera.

Sa ‘presion’ ushtron Kina mbi një vend të caktuar përfshin veprime të drejtpërdrejta ose të tërthorta nga Pekini me synimin për të ndryshuar sjelljen e njerëzve.

Ndikimi aktual ose shkalla në të cilën një vend përshtat kërkesat e Kinës, përshkruhet si ‘efekt’ në studim.

Shqipëria, një nga vendet më pak të ekspozuara ndaj ndikimit të Kinës në Indeks mori një vlerësim 16 për qind për ekspozimin, 10 për qind për presionin dhe 5 për qind për efektin.

Megjithatë, raporti thotë se këto përqindje nuk sugjerojnë një shkallë nga një nivel ‘plotësisht i ndikuar’ prej 100 për qind.

Përqindjet shprehin rezultatin e vendit nga shuma totale e arritshme bazuar në treguesit për çdo fushë.

Sipas raportit, ndikimi i Kinës në Shqipëri është më aktiv në fushën e medias, teknologjisë, politikës së brendshme dhe ekonomisë.

Disa ekspertë kanë ngritur pyetje në lidhje me metodologjinë e përdorur për përpilimin e Indeksit të Kinës 2022.

Tim Ruhlig me bazë në Berlin i Këshillit Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë ndihmoi në mbledhjen e të dhënave nga Suedia për indeksin tha se ishte e paqartë kur një “ekspozim” do të konsiderohej i fortë apo i dobët.

Shen tha për të standardizuar rezultatet, studiuesve iu kërkua të siguronin shënime shtesë dhe prova të ekspozimit të cilat “Doublethink” i rishikoi kundër kritereve të veta për të vlerësuar me saktësi nivelin e ekspozimit.

Investimet

Moszhvillimi ekonomik dhe reduktimi i kapaciteteve demokratike, si dhe qasja e rezervuar dhe prania e pamjaftueshme e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, i kanë mundësuar Kinës që të pozicionohet si një faktor i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor.

Kështu shkruhej në prezantimin e studimit të Qendrës Forenzike Digjitale (DFC) mbi praninë dhe ndikimin e Kinës në rajon.

Analiza nxorri përfundimin se Ballkani përfaqësonte një trampolinë dhe një urë për vendosjen e pranisë së rëndësishme ekonomike kineze në Evropë.

Shteti i vetëm që kishte shënuar rënie të investimeve kineze ishte Shqipëria.

Ndikimi më i fortë i Kinës ishte i dukshëm në Serbi, ndërsa Mali i Zi është një nga tetë vendet më të rrezikuara me prani kineze.

Kina ka nisur fuqishëm të investojë në Maqedoninë e Veriut, por nuk ka arritur të mbajë ndikim të rëndësishëm.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, më saktësisht në Republikën Srpska, është i pranishëm një numër i madh i investimeve kineze në infrastrukturë.

Sipas të dhënave që kanë dalë nga studimi, më shumë se gjysma e investimeve të kompanive kineze në Evropë, janë të vendosura pikërisht në Ballkanin Perëndimor.

Sipas DFC-së, Shqipëria është një nga vendet e pakta në rajon me rënie të investimeve kineze në pesë vjetët e fundit.

Por, pavarësisht se Shqipëria i ka sytë qartësisht nga Perëndimi, Kina nuk u spraps.

Në fund të tetorit të vitit 2021, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, vizitoi Shqipërinë.

Pekini zyrtar në fakt, e ka mirëpritur rritjen e tregtisë me Tiranën – Kina është vendi i tretë për sa i përket importeve të Shqipërisë, pas Italisë dhe Turqisë.

Gjiri Adriatik i Shqipërisë, është po ashtu një objekt interesi për iniciativën e një rruge kineze drejt Mesdheut.

Historia gjithashtu, bën të vetën. Një epokë e ndjeshme e komunizmit, i lidhi dy vendet së tepërmi me njëra-tjetrën.

Pavarësisht se lidhjet u prishën asokohe, kujtesa historike mbeti dhe ajo vijoi më pas me daljen shqiptare drejt demokracisë.

3 Komente

  1. M
    Mali

    Po kush i shkruan keto vleresime? Se emri i analistit perben interes.

    Përgjigjjuni
    1. d
      durrsak 24 karat

      Material i perkthym nga anglisht.

      Përgjigjjuni
    2. d
      durrsak 24 karat

      Mesazh urimi i Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë Sali Berisha, me cilësinë edhe të Kryeministrit, dërguar më 15 nëntor 2012 Shkëlqesë së Tij z. Xi Jinping, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës I nderuar Zoti Xi Jinping, Kam kënaqësinë e veçantë që me rastin e përzgjedhjes suaj në pozicionin e lartë të Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, t’ju përcjell në emrin tim, të qeverisë shqiptare, të Partisë Demokratike të Shqipërisë si edhe në emër të të gjithë qytetarëve të vendit tim, përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses në detyrat e rëndësishme. E kam ndjekur me vlerësimin më të lartë karrierën tuaj politike dhe mbetem me bindjen e thellë se nën udhëheqjen tuaj, me përvojën e pasur politike, vizionin dhe përkushtimin që ju karakterizon, Republika Popullore e Kinës do të vijojë me sukses të konsolidojë edhe më tej arritjet e jashtëzakonshme në rrugën e reformave madhore, në shërbim të së mirës e prosperitetit të popullit kinez, mik i madh i popullit shqiptar, zhvillimit e modernizimit të mëtejshëm të saj dhe paqes e miqësisë në rajon e në botë. Dëshiroj, me këtë rast, t’ju siguroj për vendosmërinë dhe angazhimin tim të palëkundur e atë të qeverisë shqiptare e Partisë Demokratike të Shqipërisë për t’i konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve e popujve si edhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Sikundër, jemi të vendosur për zgjerimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të ngushta e të shkëlqyera ndërmjet Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë Komuniste të Kinës si edhe bashkëpunimin e frytshëm, në dobi të interesave më të mirë të të dy popujve. Duke ju shprehur edhe një herë vlerësimin dhe urimet më të mira për përmbylljen me sukses të punimeve historike të Kongresit të 18-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës, shfrytëzoj rastin t’ju shpreh sigurimet e konsideratës dhe të respektit më të lartë. JUAJI SALI BERISHA Tiranë, më 15 nëntor 2012.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje