Tranzicioni i pambarimtë, antropologia Smoki Musaraj: Tranzicioni ekonomik është kryer, por kemi mbetur jashtë trajektores së progresit

29 Korrik 2025, 13:26Sociale TEMA
Tranzicioni i pambarimtë, antropologia Smoki Musaraj: Tranzicioni ekonomik

Sa herë flasim për Shqipërinë, i referohemi asaj gjithmonë si një vend në tranzicion. Nga një popull që jetonte nën shtypjen e Perandorisë Osmane, tek përpjekja për të krijuar një identitet kombëtar, tek dëshira për t’i përkitur Europës Perëndimore gjatë monarkisë zogiste, tek zelli për të kaluar nga socializmi në komunizëm, tranzicioni është një koncept që shfaqet vazhdimisht, shpesh i shoqëruar edhe nga pyetja “A do të bëhet Shqipëria?”

Antropologia kulturore Smoki Musaraj shprehet se kjo vjen më tepër nga këndvështrimi orientalist që kemi për veten dhe dëshira për t’u identifikuar me Perëndimin.

“Ana tjetër është që po të shikosh për shembull vendet e tjera të Europës Lindore, të gjitha u quajtën si vende në tranzicion pas '90-ës. Megjithatë, ky diskurs i tranzicionit ka ndryshuar në disa prej tyre. Vendet që u bënë pjesë e Bashkimit Europian më shpejt, p.sh Polonia, Hungaria, e kanë diskursin e tranzicionit para disa dekadash.”

“Në Shqipëri vazhdon, edhe pse është dobësuar shumë si diskurs dhe tani nuk është më [fjala] për tranzicion. Është një ngelje jashtë trajektores së progresit dhe për mendimin tim ka të bëjë pak me këtë dëshirën për t'u bërë pjesë e Europës…”

Sipas Musarajt, problemi nuk është thjesht në mungesën e përmbushjes së objektivave politike apo ekonomike, por në faktin që Shqipëria është tashmë një vend i konsoliduar neoliberal, i cili megjithatë vazhdon të sillet sikur është në rrugën drejt diçkaje tjetër.

“Por, kjo metafora e tranzicionit ka të bëjë më shumë me transformimin ekonomik sesa me politikë. Dhe në njëfarë mënyre neve e kemi bërë atë tranzicion, në kuptimin që nuk jemi më vend komunist, po jemi me të vërtetë vend neoliberal, por mbase ka mbetur [diskursi i tranzicionit] sepse ka njëfarë pakënaqësie, një farë ndjenje që nuk kemi arritur aty ku duhet të jemi. Pakënaqësi, që ka të bëjë me gjendjen ekonomike, me pasigurinë ekonomike që njerëzit ndiejnë dhe që është me të vërtetë një ndjesi shumë reale.”

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: https://youtu.be/qldF8JSAGNI