Veliaj vlerësohet me titullin e lartë “Komandant i Urdhrit të Plejadës së Frankofonisë dhe dialogut midis kulturave”

26 Korrik 2022, 14:22Sociale TEMA

Veliaj vlerësohet me titullin e lartë “Komandant i Urdhrit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është vlerësuar me titullin e lartë “Commandeur de l’Ordre de la Pléiade de la Francophonie et du dialogue des cultures” (Komandant i Urdhrit të Plejadës së Frankofonisë dhe dialogut midis kulturave) nga Asambleja Parlamentare e Frankofonisë, në një ceremoni të posaçme të organizuar pasditen e djeshme.

Titulli, të cilin një vit më parë e mori edhe shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, iu dorëzua nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, Francis Drouin. Në fjalën e tij, Presidenti Drouin vlerësoi angazhimin e kryebashkiakut Veliaj për organizimin e Parlamentit Frankofon të Rinisë, i cili mbahet këtë javë në Tiranë, si dhe për politikat në mbështetje të rinisë.

Në ceremoni mori pjesë edhe ish Presidenti i APF-së, Jean-Charles Luperto, i cili u shpreh se Veliaj është njeriu i fjalës. “Veliaj është njeriu i angazhimit, njeriu i fjalës, sepse në nëntor të vitit 2021, me rastin e Asamblesë Rajonale që u zhvillua në Tiranë, e ftoi Parlamentin të organizojë një aktivitet frankofon, në kuadër të Tiranës Kryeqyteti Europian i Rinisë. Këtë javë Tirana e meriton edhe titullin “Kryeqyteti Frankofon i Rinisë”. Qyteti juaj është sot më i hapur ndaj botës dhe dinamizmi juaj ka ndikuar shumë për këtë”, tha ai.

Jean-Charles Luperto nënvizoi se Veliaj ka meritën e krijimit të një perspektive të re për Tiranën, duke dhënë një mesazh të qartë që në ditën e parë të detyrës së tij si Kryebashkiak, me vendosjen në punë të Sahatit të qytetit.

Pas marrjes së titullit, kryebashkiaku Veliaj shprehu mirënjohjen për vlerësimin e lartë dhe për përzgjedhjen e Tiranës për të pritur Parlamentin Frankofon të Rinisë. “Jam shumë i nderuar sot, shumë faleminderit për Medaljen e Plejadës. Nuk e di a e meritoj Urdhrin e Komandantit sepse zakonisht jam shërbëtori; kryesisht merrem me pastrimin e plehrave, kanalizimet e ujërave të zeza, ujësjellësin, varrezat, mbjelljen e pemëve. Jo shumë punë komanduese, por punë të thjeshta të qytetit, që megjithatë bëjnë diferencën në qytetin tonë. Ju jam shumë mirënjohës sot që vendosët që Tirana, në vitin e Kryeqytetit Europian të Rinisë, të jetë edhe Kryeqyteti Botëror i Frankofonisë”, tha ai.

Duke iu drejtuar të rinjve, që kanë ardhur në Tiranë për punimet e Parlamentit Frankofon të Rinisë, Veliaj tha se pjesëmarrja në politikë është një mënyrë për të ndryshuar realitetin dhe për t’i bërë gjërat më mirë. “Ka shumë njerëz në Shqipëri, por edhe në Kanada, në Francë, në Afrikë, në Azi, që thonë se politika është e keqe, se politikanët janë të këqinj. Por, në çdo vokacion ka njerëz shumë të mirë, siç ka edhe njerëz shumë problematikë. Kjo nuk është arsye për të mos u angazhuar në politikë. Realitetin mund ta ndryshosh vetëm kur zbret në arenë, kur zbret në fushë, te kutia e votimit, kur thua tani do marr përgjegjësi, që shumë prej gjërave për të cilat protestoj të kem mundësi t’i votoj dhe t’i ndryshoj”, shtoi më tej kreu i Bashkisë së Tiranës.

Titulli “Ordre de la Pléiade de la Francophonie et du dialogue des cultures” u jepet figurave më të rëndësishme në botë, që luajnë një rol të rëndësishëm në shoqëri. Këtë javë Tirana mirëpret të rinjtë e Parlamentit Frankofon të Rinisë, i cili bën bashkë deputetë dhe senatorë nga vende të ndryshme të botës.

1 Komente

  1. n
    nje banor i Tiranes

    T'a gezosh Urdhrin e Larte te Francofonise , je djale krijues qe i rri punes mbi koke dhe qe e ke transformuar Tiranen ne nje qytet te bukur evropian . Suksese te metejshme !

    Lini një Përgjigje