Vicki Stott: Ashtu si UET rritet në reputacionin e tij global, ashtu rritet vlera dhe prestigji i studentëve

25 Korrik 2023, 13:07Sociale TEMA

 Vicki Stott: Ashtu si UET rritet në reputacionin e tij global, ashtu rritet

Kolegë të nderuar, studentë të dashur, është një nder i madh që ndodhem sot këtu, me ftesën e Rekotorit të Universitetit Europian të Tiranës Tonin Gjuraj. Dua të shpreh falënderimet personale ndaj tij dhe komunitetit akademik të UET për mundësinë që më ofruan për të marrë pjesë në këtë ditë të veçantë dhe për të vizituar këtë universitet të madh në këtë qytet kaq të bukur.

Unë jam Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë për Sigurinë e Cilësisë në Arsimin e Lartë në Mbretërinë e Bashkuar (QAA). QAA është një organ i pavarur dhe i besuar për sigurinë dhe avancimin e cilësisë në arsimin e lartë në Mbretërinë e Bashkuar dhe 25 vjet pas themelimit tonë, themelet mbi të cilat bazohet puna jonë vazhdojnë të jenë të forta. Ne në QAA bashkëpunojmë me akademikë, staf profesional dhe studentë për të siguruar që çdo student të marrë edukim e duhur me cilësinë më të lartë të mundshme dhe që universitetet me të cilat bashkëpunojmë të punojnë vazhdimisht për përmirësimin e cilësisë të këtij edukimi.

Një vit më parë, UET u bë institucioni i parë në Shqipëri që arriti akreditimin ndërkombëtar nga ne. Ky akreditim u jepet institucioneve që kanë kaluar shqyrtimin e rreptë të cilësisë ndërkombëtare të QAA-së, e cila akrediton universitetet në të gjithë botën sipas standardeve ndërkombëtare të sigurisë së cilësisë të përcaktuara në Standardet dhe Udhëzuesit e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë.

Panelet e shqyrtimit konfirmuan se UET plotëson të gjitha standardet e cilësisë dhe sigurisë të përcaktuara në Standardet dhe Udhëzuesit Evropian. Procesi i shqyrtimit dhe i vlerësimit nuk është i thjeshtë. Ai me qëllim është projektuar që të jetë sfidues.

Akreditimi jepet pas një procesi rigoroz që përfshin të gjithë komunitetin universitar, duke filluar nga akademikët dhe ekipet drejtuese deri te punëdhënësit dhe, sigurisht, studentët. Universiteti Europian i Tiranës ka treguar përkushtim gjatë procesit të akreditimit, duke demonstuar që ndjek praktikat më të mira ndërkombëtare për sigurinë e cilësisë dhe për të përmirësuar vazhdimisht cilësinë e arsimit që i ofron studentëve gjatë periudhës pesëvjeçare të akreditimit.

Në të vërtetë, vetëm dje dëgjoja nga Profesor Gjuraj dhe ekipi i tij planet e emocionuese për zhvillimin e qasjeve të përqëndruara tek studentët për zhvillimin e cilësisë brenda universitetit. Cilësia është në zemër të gjithçkaje që bëjmë në QAA dhe ne mbetemi të përkushtuar në mbështetjen e universiteteve në rrugën e përmirësimit të vetes.

Gjithashtu jam e kënaqur t’ju njoftoj se UET është gjithashtu Anëtar Ndërkombëtar i QAA-së. Përmes këtij anëtarësimi, UET bëhet pjesë i një komuniteti të zgjeruar të universiteteve ndërkombëtare, të cilat janë të përkushtuara në ndarjen e praktikave më të mira dhe të mësuarit nga njëri-tjetri për përmirësimin e cilësisë. Jemi thellësisht mirënjohës ndaj UET për zgjedhjen e anëtarësimit në QAA dhe kemi besim se kjo do të ndihmojë universitetin në kërkimin e rritjes dhe njohjes ndërkombëtare të vazhdueshme.

Në përfundim, të dashur të diplomuar, dua t'ju uroj të gjithëve në këtë ditë të veçantë, ku secili prej jush është këtu sot për shkak të një arritje shumë të rëndësishme personale. Jam e sigurt që marrëdhënia e secilit prej jush me UET nuk do të mbarojë këtu. Ajo do të rritet me kalimin e kohës, ndërsa ju zhvilloheni personalisht në rrugën tuaj të zgjedhur.

Dhe siç UET rritet në reputacionin e tij global dhe zhvillohet vazhdimisht, në të njëjtën mënyrë do të rritet vlera dhe prestigji i arritjes që ju po festoni këtu sot. Ju dhe universiteti zhvilloheni së bashku. Ju uroj për këtë arritje të jashtëzakonshme në këtë universitet të mrekullueshëm, dhe me kënaqësi pres të ndaj përjetime tejet emocionuese të kësaj festë me ju sot. VICKI STOTT, SHEFJA EKZEKUTIVE E QAA Fjala e mbajtur gjatë ceremonisë së diplomimit të UET

3 Komente

  1. P
    Poli

    Uet eshte ne vendin 100.000 ne ranking boteror...

    Përgjigjjuni
    1. D
      Dori

      Nuk e kuptoj se çfare pune ka drejtoresha e cilesise dhe standarteve te arsimit te Britanise me UET nje universitet privat i hapur nga nje hajdut si Henri Çili qe u kap me preshr ne dore dhe ku shqiptaret pas 20 vitesh more vesh qe ky Naimi nuk ishte gazetar por avokat...!? Turp per faqe te zezë. UET nuk paguan pedagoget paska para per te bere reklama false!

      Përgjigjjuni
      1. S
        Sindi

        Ky barboni i UET ne kinostudio nuk paguan dot profesoret e tij ndersa na shet mend per arritje globale! O tempora o mores...

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje