Duket shpesh e padrejtë që kujtimet e këqija jetojnë më gjatë, ndërsa ato neutrale apo edhe pozitive, zhduken më lehtësisht nga kujtesa. Çastet e frikës, shkujdesjes apo panikut duket sikur kthehen në mënyrë të paftuar, ndonjëherë vite më vonë, të ngacmuara edhe nga detaji më i vogël.
Mjekja neurologe, Dr. Entela Basha thotë në Apostrof Podcast, se neuroshkenca ofron një përgjigje në lidhje me këtë. Emocionet procesohen nga një strukturë specifike në tru, që është amigdala, një zonë e lidhur ngushtësisht me ndjesitë e frikës, kënaqësisë dhe intensitetit emocional. Amigdala ndodhetpranë hipokampusit, struktura përgjegjëse për formimin dhe organizimin e kujtimeve.
Kur një përvojë jetësore mbart edhe një peshë të fortë emocionale – frikë, gëzim, panik, tronditje – trupi çliron një sërë neuromediatorësh si adrenalina, dopamina dhe acetilkolina, të cilat ndikojnë në mënyrën se si kujtimet ruhen në tru. Për rrjedhojë, sa më e fortë ngarkesa emocionale, aq më i ngulitur është një kujtim në tru.
Basha shton se përvojat me ngarkesë emocionale nuk ruhen si “të dhëna” neutrale, por janë të shtresëzuara dhe të shpërndara në ‘rajonet’ e ndryshme të trurit, në varësi të përvojës. Një ngjarje e frikshme nuk jeton në kujtesë thjesht si fakt, por kthehet në kujtesë trupore.
Por, thekson Basha, ajo çka i mban gjallë këto kujtime janë stimujt e jashtëm. Një zhurmë, një fjalë, apo edhe një histori e treguar nga dikush tjetër, mund të shërbejë si ngacmues për t’i rizgjuar ato. Në momentin që truri njeh një model emocional familjar për të, ai çliron një tjetër valë neuromediatorësh dhe kështu ai kujtim zgjohet, shpesh me të njëjtin intensitet të ngjarjes fillestare.
Kjo shpjegon se përse dikush mund të përjetojë panik kur ndodhet, për shembull, në një ashensor, edhe pse e di se është i sigurt, apo të ndiejë frikë nga një lartësi e caktuar edhe pse mund të mos ketë rënë kurrë prej saj. Ndodh sepse truri nuk reagon vetëm ndaj atij momento aktual, por i përgjigijet një skenari emocional të ruajtur në të dhe që nuk vjjen domsdoshmërisht nga një përvojë direkte. Në disa raste mund të vijë edhe për shkak të historive të dëgjuara nga të tjerët.
Në këtë kuptim, kujtimet e këqija jetojnë më gjatë sepse truri ka evoluuar për të na mbrojtur nga rreziku. Mbajtja mend e rrezikut dikur ka qenë thelbësore për mbijetesën, ndërsa në ditët e sotme ky mekanizëm i vjetër mund të kthehet në disa raste kundër nesh.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:
Ja pse kujtimet e këqija jetojnë më gjatë! Dr. Entela Basha: truri, neuroplasticiteti dhe kujtesa