Një çift zviceran kishin mbetur të bllokuar prej pasdites së të dielës në malin e Korabit. Mësohet se turistët kishin dalë në mal për ski dhe i ka bllokuar orteku.
Ka qenë pronari i hotelit ku ata qëndronin që ka kuptuar mungesën dhe në darkë ka njoftuar policinë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në kërkim të dy turistëve u nisën 7 forca të policisë së rendit, 2 forca të policisë kufitare dhe disa banorë të zonës së njësisë administrative Kala e Dodës.
Pas 8 orësh operacion kërkim-shpëtimi, në kushte atmosferike dhe gjeografike shumë të vështira, dy turistët u gjetën në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sakaq,kanë dalë pamjet nga momenti i shpëtimit të dy turistëve zviceranë të cilët u bllokuan për shkak të një orteku, në Malin e Korabit.
Njoftimi i policisë:
Pas 8 orësh operacion kërkim-shpëtimi, në kushte atmosferike dhe gjeografike shumë të vështira, Policia shpëton 2 turistë nga Zvicra, të cilët kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit në mal, për shkak të dëborës dhe terrenit të thepisur.
Operacioni i kërkim-shpëtimit, gjatë natës dhe orëve të mëngjesit, u krye nga Policia e Dibrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Dibrës, Emergjencat Civile, Policinë Alpine të Forcave të Sigurisë Kombëtare, Federatën Alpine të Kërkim-Shpëtimit Malor të Policisë së Kosovës, si dhe me asistimin e një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të një helikopteri të KFOR-it.
Rreth orës 21:00, të datës 21.01.2024, është marrë njoftim se 2 turistë nga Zvicra, kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit në malin e Korabit, dhe si pasojë kishin mbetur të izoluar në terrenin e thepisur të malit, në temperatura shumë të ulëta, dhe njërit prej tyre i rrezikohej jeta, sepse ishte dëmtuar.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi, për të shpëtuar 2 turistët. Pas 8 orësh kërkime intensive, gjatë natës dhe gjatë orëve të mëngjesit të sotëm, në temperatura shumë të ulëta dhe në terrenin e thepisur të malit të Korabit, është bërë i mundur lokalizimi i 2 turistëve, në vendin e quajtur "Maja e Sokolit”.
Shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse iu kanë shkuar në ndihmë turistëve, duke iu dhënë ndihmën e parë mjekësore, si dhe duke i pajisur me ushqime dhe me veshje.
Gjithashtu, për zbritjen, për shkak të terrenit të thepisur dhe gjendjes shëndetësore të 2 turistëve dhe të 2 punonjësve të Policisë, ka asistuar një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili për shkak të erës së fortë, nuk ka mundur të ulej. Në këto kushte, është kërkuar ndihmë nga një helikopter më i fuqishëm i KFOR-it, i cili ka bërë të mundur transportimin e 4 shtetasve të dëmtuar drejt spitalit, ku po marrin asistencë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Dibrës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë. Gjithashtu, fton ata dhe qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
Lini një Përgjigje