Besnik Sulaj: Daliç unik, më befasoi para finales në Rusi

10 Dhjetor 2022, 11:19Sport TEMA

Besnik Sulaj: Daliç unik, më befasoi para finales në Rusi

Besnik Sulaj ishte ai që e solli kroatin Zllatko Daliçi te Dinamo.

Ish-presidenti i Dinamos deklaron ekskluzivisht për “Panorama Sport” se ka ende një raport të shkëlqyer me trajnerin aktual të Kroacisë, por nuk e mendonte se do të shkonte kaq larg në këtë Botëror që po zhvillohet në Katar.

“Padyshim që i çova një mesazh urimi. Unë kam një raport të shkëlqyer me të. Një nga trajnerët me të cilin kam ende një marrëdhënie shoqërore të shkëlqyer.

E dini pse? Sepse ai ishte mjeshtër në marrëdhëniet njerëzore. Që nga koha kur është larguar vazhdon të më çojë mesazhe për festat e fundvitit ose edhe në evenimente të tjera. Por të them të drejtën tani me Brazilin nuk mendova se do ta kalonte.

E dija që Kroacia është e fortë, por u befasova. Ndryshe nga Botërori i kaluar, sepse atëherë kishte një skuadër më të re. Por tregoi edhe një herë që është unik. Qetësia e tij e bën Kroacinë të besojë deri në sekondat e fundit”, ka thënë fillimisht ish-presidenti i bluve.

Më tej Sulaj tregon edhe emocionet e katër viteve më parë me Daliç, kur ky i fundit i kishte rezervuar dy bileta për finalen që Kroacia zhvilloi me Francën në Moskë.

“U ndjeva i emocionuar kur në Botërorin e Rusisë më çoi mesazh dhe më tha se kishte rezervuar dy bileta për mua. Nuk shkova dot, por m’u bë qejfi shumë. Këtë herë më duket se harroi… (qesh), por e rëndësishme është që u kualifikua dhe më vjen mirë për të”, ka thënë Sulaj për gazetën.

Lini një Përgjigje