Leje të siguruara në mënyrë aspak transparente, madje në kundërshtim me ligjin, përmes korrupsionit.
Sipas raportimeve të agjencisë kroate të lajmeve Hina, kjo është arsyeja e arrestimit të ish-mbrojtësit të Interit dhe Milanit, Dario Simic (50 vjeç). Mediat lokale kanë publikuar tashmë fotografi të ish-futbollistit me pranga në duar, i shoqëruar nga policia, së bashku edhe me dy persona të tjerë; një ish-zyrtare rajonale e turizmit dhe një sipërmarrës vendas, të cilët gjithashtu janë arrestuar.
Çështja lidhet me një kamping në zonën e Tisnos, një fshat bregdetar vetëm pak kilometra larg Splitit, të cilin Simic dyshohet se e ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme duke korruptuar disa zyrtarë.
Sipas informacioneve të deritanishme, autoritetet kroate kanë arritur në përfundimin se gjatë viteve 2020 - 2021, zyrtarja rajonale Neda Livljanić kishte miratuar ndërtimin e kampingut, edhe pse një pjesë e truallit nuk ishte e lejuar për ndërtim dhe nuk përmbushte kriteret urbanistike të përcaktuara me ligj.
Lini një Përgjigje