Një arritje që meriton vlerësim dhe krenari për futbollin shqiptar vjen nga Holanda, aty ku trajneri shqiptar Erbim Fagu ka firmosur një sukses të madh në karrierën e tij.
Ish-trajneri i Tiranës ka arritur të fitojë Kupën me ekipin ADO Den Haag U-19, pasi triumfoi bindshëm në finale përballë bashkëmoshatarëve të AZ Alkmaar, me rezultatin e pastër 3-0.
Në një finale ku dominimi i skuadrës së drejtuar nga Fagu ishte i qartë, pati shumë pak vend për diskutime mbi ekipin më të mirë në fushë. Loja e organizuar, karakteri fitues dhe puna e bërë gjatë sezonit u kurorëzuan me ngritjen e një trofeu me peshë të veçantë.
Ky sukses merr edhe më shumë vlerë duke pasur parasysh rrugëtimin e trajnerit shqiptar, i cili prej tre vitesh punon në Holandë, pasi vendosi të ndërtojë karrierën jashtë Shqipërisë pas eksperiencës me Tiranën. Me përkushtim, profesionalizëm dhe vizion, Fagu po dëshmon se trajnerët shqiptarë mund të lënë gjurmë edhe në skenën ndërkombëtare.
Kupa e fituar pritet të jetë vetëm një hap i rëndësishëm në një rrugëtim që premton edhe më shumë arritje për teknikun shqiptar, i cili po ngre lart emrin e futbollit shqiptar përtej kufijve.
Lini një Përgjigje