Shqipëria është një nga 15 vendet (nga 55 në total) që nuk ka asnjë klub të pranishëm në Kupat e Evropës 2025-26. Dhe, kjo mund të jetë një goditje për Abissnet Superioren në të ardhmen e afërt.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë nga një një ekip, përkatësisht Dritën dhe Shkëndijën, të cilat luajnë në fazën e ligës së UEFA Conference League.
Duke mënjanuar Rusinë e përjashtuar nga UEFA për shkak të luftës në Ukrainë, Shqipëria është ndër vendet e mëdha pa përfaqësi në garat evropiane.
Pjesa tjetër e vendeve të cilat nuk kanë asnjë ekip në garat evropiane janë: Moldavia, Letonia, Ishujt Faroe, Bjellorusia, Lihtenshtajni, Lituania, Irlanda e Veriut, Andorra, Bjellorusia, Luksemburgu, Mali i Zi, Gjeorgjia, Uellsi dhe San Marino.
Por, çfarë do të thotë kjo për Superioren?
Superiorja e Shqipërisë ka 8 mijë e 125 pikë në renditjen e UEFA-s dhe mban vendin e 44-të. Janë 1 mijë e 542 pikë diferencë me Malin e Zi, i cili së fundmi ra në vendin e 51-të. Vend i cili të zbret nga katër në tre (nga vendi 50-55) numrin e ekipeve pjesëmarrëse në garat evropiane.
Nëse ekipet shqiptare do të vijojnë të zhgënjejnë në Evropë edhe për pak kohë, Superiorja rrezikon seriozisht heqjen e një vendi për garat evropiane.
Për dallim, Maqedonia e Veriut (vendi 47), e ndikuar edhe nga ecuria fantastike e Shkëndijës së Tetovës do të ruajë katër vendet evropiane.
Kosova (vendi 38) është gjithashtu në pozita të forta. Ndonëse është larg nga një vend i pestë, Superliga mund të përparojë në drejtim të luajtjes direkte në turet e dyta të garave evropiane.
Përsa i përketë ecurisë së ekipeve në garat evropiane për sezonin aktual Anglia dhe Portugalia qëndrojnë në krye. Me këtë ritëm, Premier League dhe Primeira Liga do të kenë një vend shtesë në kompeticionet evropiane për sezonin e ardhshëm.
Polonia, Gjermania, Spanja, Qipro, Danimarka, Italia, Franca dhe Holanda mbyllin “top 10”-shen.
Megjithatë, është ende shumë herët për të përcaktuar dy vendet shtesë në garat evropiane për sezonin e ardhshëm.
Lini një Përgjigje