“Nder që jam në Euro 2024 me Shqipërinë”, Sylvinho para ndeshjes me Italinë: Duam pikë në çdo ndeshje!

14 Qershor 2024, 18:25Sport TEMA
“Nder që jam në Euro 2024 me Shqipërinë”,

Trajneri i kombëtares, Sylvinho foli në konferencë për shtyp para ndeshjes së parë në Euro 2024 ndaj Italisë, më datë 15 qershor. Tekniku brazilian i kuqezinjve theksoi se për të është një nder të jetë në Euro 2024 me Shqipërinë ndërsa shtoi se do të zbresin në fushë për të luftuar dhe për të tentuar të marrin pikë nga çdo ndeshje.

“Para së gjithash jam i lumtur që jam këtu, kemi pasur një garë të vështirë në kualifikuese dhe është nder të jem me Shqipërinë në Euro 2024. Më vjen keq që kapiteni (Gjimshiti) nuk ka luajtur në 2016, por më vjen mirë për mundësinë që tashmë është dhe e meriton. Ai na përfaqëson shumë mirë. Ne jemi në një grup shumë të vështirë, është një kompeticion i madh.

Por, do të futemi për të garuar dhe për të luftuar për çdo pikë dhe për ta pasur një kampionat të mrekullueshëm. Do të jetë e vështirë ndaj Italisë, pas stërvitjes do të vendosim për formacionin, edhe pse është pothuajse i vendosur formacioni.

Kemi shumë shqiptarë nëpër botë, në Gjermani, Italia po Zvicër, për ne është një përgjegjësi e madhe që t’i përfaqësojmë. Stadiumi në masën më të madhe do të jetë kuqezi dhe kjo është përgjegjësi e madhe për ne.

Ka shumë diferenca mes Italisë së kaluar dhe asaj të tanishme. Por, Italia është një skuadër e nivelit më të lartë, ka lojtarë të shpejtë dhe një trajner të mrekullueshëm. Mancini ka bërë punë të madhe, Spalletti po ashtu. Kanë eksperiencë, janë një “top” skuadër. Kur futen në fushë, e bëjnë për të fituar kompeticionin. Por, edhe ne do të futemi për pikë”, u shpreh Sylvinho.

Kësaj jave keni folur për tensionin e ndier dy ditë para ndeshjes me Moldavinë. Si ka qenë nata e djeshme për ju, atmosfera para Italisë?

Ju më njihni shumë mirë, kemi biseduar me njëri tjetrin, pas ndeshjes së Moldavisë, ku e kemi stampuar biletën për në Europian. Tani, gjashtë muaj më vonë, ndjenjat janë si atë natë. Skuadra është e motivuar, djemtë janë të gatshëm. Do të jetë një ditë e mrekullueshme për të përfaqwsuar vendin tone. Është dita me më shumë emocione dhe do të bëjmë më të mirën e mundshme.

Do të doja t’ju pyesja se çfarë Italie prisni? Spalletti mund të luajë me tre apo katër mbrojtës. Kush do të luajë në portë Berisha apo Strakosha?

Me atë që kemi parë, ata mund të përshtaten me sistemin 3-4-3 dhe 4-3-3, mund të ndryshojnë sistemin në varësi të kundërshtarit. Janë të vështirë për t’u thyer. Italia ka një anë të fortë, mbrohet shumë mirë, dhe e mban topin me pozicion të qëndrueshëm. Ka lojtarë që vrapojnë shumë dhe kanë shkathtësi të theksuara. Ne kemi edhe një seancë stërvitore pastaj do të vendosim për formacionin titullar.

Kapiteni dhe trajneri i Italisë janë shprehur se duhet të fitojnë. Do të dëgjojmë edhe Spanjën dhe Kroacinë që do të thonë të njëjtën gjë. Presioni është te skuadrat e mëdha, ndoshta Shqipëria, pa presion fare, mund të përfitojë…

E dimë se çfarë garë e madhe është se sa të mëdhenj janë kundërshtarët tanë. Ata që janë favoritë, mund të hasin vështirësi. Ne kemi ardhur për të luajtur. Ata s’mund t’ua lejojnë vetes gabimet, e kemi parë edhe te Brazili që nuk është e lehtë. Ne do të zbresim në fushë për të luftuar për çdo pikë. Çdo gjë mund të ndodhë gjatë 90 minutave.

Sa kohë keni harxhuar për të analizuar Italinë, ka dilema për formacionin startues? 

“Ne i kemi studiuar që të tre kundërshtarët, jemi përqëndruar shumë te Italia si ndeshje e parë. Kemi punuar gjashtë apo shtatë ditë, një kohë e mjaftueshme për të ndërtuar një strategji. Pastaj kemi menduar edhe për dy ndeshjet e tjera. Për Italinë, dëshira jonë është të zbresim në fushë dhe të luajmë mirë”.

A kanë arritur lojtarët formën optimale? 

“Sa i përket nivelit të përgatitjes fizike, sa më shumë luan një lojtar aq më mirë. Por, më duken shumë mirë fizikisht”.

Mendoni që Mitaj dhe Daku mund ta përmirësojnë skuadrën, apo do të preferonit që në vend të Rusisë të luanin në një vend tjetër europian? 

“Janë dy lojtarë shumë të mëdhenj, të mrekullueshëm. Daku është shumë i mirë, ata mund të përmirësohen në Rusi. Është një ligë e fortë në aspektin fizik. Mitaj është një lojtar taktik, e dua dhe e kam sjellë kur ishte 19-vjeç.

E kam parë në kombëtare, mund ta ndihmoj shumë kombëtaren. Ka bërë një punë shumë të mirë. Më pëlqejnë që të dy dhe e di se mund të përmirësohen shumë në Rusi, por edhe në vende të tjera”.

Lini një Përgjigje