Nga Zvicra, te Greqia e Italia! Bajrami nuk është i vetmi që refuzoi Shqipërinë, edhe ish-kapiteni në listë

2 Shtator 2025, 11:28Sport TEMA
Nga Zvicra, te Greqia e Italia! Bajrami nuk është i vetmi që

Adrian Bajrami ka vendosur të largohet nga Shqipëria, për të përfaqësuar fanellën e Zvicrës. Lajmi është konfirmuar nga vetë FSHF me anë të një komunikate për shtyp, teksa vendi i tij në Kombëtare është zënë nga mbrojtësi i Arsenalit, Maldini Kacurri.

Largimi i Bajramit, i ka befasuar jo pak të gjithë, duke qenë se ai është aktivizuar edhe në 3 ndeshje miqësore me Kombëtaren A, nga të cilat në 2 prej tyre ka luajtur si titullar dhe për 90 minuta, teksa ndaj Italisë ka luajtur 19 minuta. Por, Bajrami nuk është futbollisti i parë që vendos të largohet nga Shqipëria, pasi në të shkuarën ka pasur edhe raste të ngjashme me të tjerë futbollistë, ashtu siç edhe ka nga ato futbollistë të cilët kanë braktisur Zvicrën apo edhe Greqinë, për të përfaqësuar fanellën e Shqipërisë.

FIORIN DURMISHAJ- Sulmuesi vlonjat ishte një nga talentët më të spikatur në kampionatin grek disa vite më parë, duke rënë edhe në syrin e FSHFsë, që arriti ta bënte për vete lojtarin. 28-vjeçari aktivizohej në 9 ndeshje me Shqipërinë U21, duke qenë edhe një nga më të dalluarit, megjithëse kishte shënuar vetëm një gol për kuqezinjtë. Megjithatë, ai vendosi të largohej nga Shqipëria, duke u bërë pjesë e Greqisë, me të cilët u aktivizua 15 minuta në një ndeshje miqësore, e më pas grekët nuk i besuan më asnjë minutë.

MARKO MOLLA- Portieri 23-vjeçar ka qenë pjesë e të rinjve të Shqipërisë, duke u aktivizuar në disa takime, megjithatë ai vendosi që të bënte një zgjedhje tjetër sapo i erdhi mundësia. Portieri shkodran largohej nga grumbullimi me të rinjtë e Shqipërisë, duke u grumbulluar me Italinë, teksa më pas duket se u pendua dhe sërish iu përgjigj pozitivisht ftesës së Edi Rejas për të qenë pjesë e Shqipërisë. Dikur, aludohej se Molla kishte vënë kusht për të luajtur me Kombëtaren A dhe se nuk do të pranonte ftesat e skuadrave të moshave por diçka e tillë refuzohej kategorikisht nga portieri, i cili shprehej i lumtur dhe krenar që mbronte portën kuqezi.

ELVIS KABASHI- Në vitin 2013, Elvis Kabashi ishte dëshira më e madhe e Shqipërisë. Sulmuesi që ishte pjesë e Juventusit asokohe, kishte luajtur me të rinjtë e Shqipërisë, por kur i erdhi ftesa për të përfaqësuar Kombëtaren A, ai vendosi që të ndryshonte mendje, duke pranuar publikisht se dëshira e tij ishte të luante me Italinë. Kabashi i dërgonte një letër zyrtare FSHF-së, duke i falënderuar për besimin që i kishin dhënë dhe duke ua bërë të qartë se dëshira e tij ishte përfaqësimi i Italisë, gjë e cila nuk ndodhi kurrë.

MËRGIM BRAHIMI- Mesfushori nga Kosova ishte pjesë e Shpresave të Shqipërisë dhe një nga më të dalluarit e asaj kohe. Pak kohë para se Kabashi të refuzonte Shqipërinë, ishte Brahimi ai që i përgjigjej pozitivisht ftesës së Zvicrës, duke debutuar në një ndeshje ndaj Gjermanisë. Pavarësisht tentativa nga ana e FSHF-së apo trajnerëve, Brahimi e kishte vendosur që të luante me Zvicrën.

MËRGIM MAVRAJ- Mbrojtësi nga Istogu shkëlqente në kampionatin gjerman dhe bëri që FSHF ta ftonte zyrtarisht te Shqipëria, por Mavraj ishte shprehur i bindur se do të priste ftesën e Gjermanisë. Pak vite më vonë, ai pranoi që të luante me Shqipërinë, duke i premtuar Josip Kuzhes se do të vishte fanellën kuqezi. Megjithatë, ka mjaftuar një telefonatë nga menaxheri i kombëtares gjermane, që Mavraj të ndryshonte mendje dhe sërish të njoftonte FSHF-në se ka vendosur të luajë për Gjermaninë, gjë e cila nuk ndodhi kurrë. Pak kohë më vonë, Mavraj ndryshoi sërish qëndrim dhe u bashkua me Shqipërinë, ku edhe arriti të ndihmonte kuqezinjtë për t’u kualifikuar në Europianin e 2016 në Francë.

1 Komente

  1. T
    Tifozi plak

    Mbare e mire kudo qe te jene... Sa mire krenohemi me Shkodran Mustafin, Granit Xhaken, Shaqirin, Berishen, etj etj ...Pavaresisht se nuk zgjodhen Shqiperine, jane djemte e Shqipes. SUKSESE JU UROJME

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje