Një ndeshje e NBA dhe dështimi i një rituali fetaro-patriotik

11 Shkurt 2026, 19:40Sport TEMA

Një ndeshje e NBA dhe dështimi i një rituali fetaro-patriotik

Nga Nju Jorku, Marko Caka

Në Çikago  pas ndeshjes Bulls–Nuggets, në korridoret e United Center-it nuk u dëgjua zhurma e zakonshme e tifozëve që presin autografe. U dëgjua heshtja. Një heshtje e trashë, e sikletshme, pothuajse liturgjike. Sepse aty nuk ishte mbledhur thjesht një turmë sportive, por një komunitet që priste diçka më shumë se basketboll.

Në një qytet ku komuniteti serb është i organizuar, i dukshëm dhe i zëshëm, u tentua një mrekulli. Jo sportive, por shpirtërore. Një procesion patriotik i ndërtuar me kujdes, ku shfaqeshin  flamuj, koreografi, fëmijë me kostume tradicionale serbe, kamerat gati për të bërë bujën. Një ngjarje që ngjante më shumë me rit se me pritje sportive.

Organizatorët ishin  priftërinj pa raso, por me mikrofon dhe listë emrash, por që nuk predikonin Zot. Predikonin një  “komb” që për shkak të tyre e kanë të mbuluar me turp. Nuk kërkonin reflektim, por selfie. Dhe altari i tyre, si gjithmonë, ishte vendosur aty ku ka më shumë kamera.

Fëmijët u veshën si ikona lëvizëse. Vallet u shndërruan në lutje. Kostumet tradicionale morën funksion liturgjik. E gjitha për një rit të vetëm që Nikola Xhokiç të shfaqej, të ndalonte për pak sekonda dhe të jepte bekimin simbolik. Sepse duhej- Një “hej” e tij për të thënë se ne kemi bekimin e MVP-së së NBA-së. Pra duhej vetëm foto për gjithë atë organizim. Një shenjë se idhulli e pranon rolin që i është caktuar. Sepse në këtë fe të re, MVP-ja nuk fiton vetëm ndeshje, por  ai fal mëkate identitare.

Por shenjti nuk doli.

Xhokiç kaloi drejt dhomës së zhveshjes, pa u ndalur, pa folur, pa e luajtur rolin. Dhe në atë moment, procesioni u kthye në akuzë. Heshtja u interpretua si tradhti. Jo ndaj tifozëve, por ndaj mitit.

Reagimi ishte i menjëhershëm. Zhgënjim. Zemërim. Moralizim publik. Jo sepse u lënduan fëmijët, se  ata, në këto rituale, janë gjithmonë pjesë e skenografisë, por sepse u shemb struktura simbolike mbi të cilën ishte ndërtuar ngjarja. Kombi  i kthyer në skenografi propagandistike, mbeti pa aktorin kryesor.

Këtu shfaqet ironia që e bën këtë histori më të madhe se një episod sportiv. Xhokiçi nuk u perceptua si MVP i NBA-së, por si “basketbollist serb”. Jo si individ, por si funksion. Jo si njeri, por si flamur lëvizës. Dhe pikërisht këtë rol ai refuzoi ta luante.

Në mënyrën e tij të heshtur, ai duket se e ka kuptuar atë që shumë e shmangin,  se një pjesë e madhe e turpit që Serbia e tërheq pas vetes nuk lidhet me sportin, por me institucionet që kanë shndërruar moralin në propagandë dhe kombin në ritual. Dhe distanca nga kjo skenë nuk ishte arrogancë, ishte një  vetëmbrojtje simbolike.

     Klerikët e këtij kulti janë mjeshtra të ritualit, jo të moralit. Flasin për “vlera”, por i matin me minuta vëmendjeje. Flasin për “traditë”, por e përdorin si kostum eventi. Flasin për “dinjitet”, por kërkojnë përulje publike nga një njeri që thjesht po shkon në dhomën e zhveshjes. Ndërkohë, hijet e historisë së paemërtuar vazhdojnë t’i ndjekin.

Kontrasti u bë edhe më i fortë kur një basketbollist tjetër, pa flamur, pa koreografi, pa ritual, doli dhe u soll thjesht si njeri. Dhe në atë moment, feja e MVP-së u rrëzua. Sepse u pa qartë se nuk bëhej fjalë për shenjtëri, por për edukatë. Dhe edukata nuk prodhohet nga procesionet.

Në fund, turma mbeti me heshtjen, si pas një meshe ku Zoti nuk u shfaq. Jo sepse dikush i injoroi, por sepse për një çast u pa zbrazëtia e mitit. Një zbrazëti që as flamujt, as fëmijët, as kamerat nuk e mbushin dot.

Morali i këtij reportazhi është i thjeshtë, se kur kombi kërkon shpëtim në tunelin e zhveshtores, problemi nuk është sportisti që hesht. Problemi është miti që flet shumë.

 

4 Komente

  1. F
    Fred

    Po mire mire njeri nga New Yorku qe Komento Chicagon po ata trushpelaret tane we nje gol ben Xhaka apo ai Shaqo Bregu dhe nuk ka deputet udheheqes te Madh te mos shkruaje per heroin e Golit te Madhin pellazgun Illiret e Zvicres …. Cfare lloj feje ke ti o gazetar qe ke koken kaq bosh, ?!?!?!

    Përgjigjjuni
    1. n
      nope

      tipa si keta qe thote artikullshkruesi ka plot dhe nga anet tona ,bravo jokicit qe smerret me idiotesira te tilla nacionalisto-"patriotike gjoja". .... te njejten gje duhet te bejne edhe persona publike shqiptare kur ofrohet ky skenar idiot.....

      Përgjigjjuni
      1. Q
        Qytetar

        Mbajeni sportin larg nga politika. Sporti duhet te bashkoje, jo te ndaje...

        Përgjigjjuni
        1. R
          Real

          Po cfare keni qe merreni me djalin e kryetarit more. Ai buke e kos po hane.

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje