
VAR është tashmë pjesë e futbollit dhe është pothuajse e pamundur të imagjinohet një ndeshje e nivelit të lartë pa një ndërhyrje të teknologjisë sa herë që ka një aksion të dyshimtë në mënyrë që të merret vendimi i duhur. Megjithatë, një kampion i njohur në të gjithë botën nuk e duron aspak VAR-in.
Për kë bëhet fjalë? Për Eden Hazard. Belgu, ylli i kombëtares së tij dhe i Real Madrid, ka dhënë një intervistë për ESPN me rastin e turneut amerikan të Los Blancos dhe ka shpjeguar hapur se kjo risi në futboll nuk i pëlqen.
“Ajo që nuk më pëlqen shumë nga futbolli është VAR, unë do ta hiqja. Do ta zhdukja”, ka thënë ylli i kampionëve të Europës në fuqi.
Natyrisht, belgu ka arsyet tij pse është kundër teknologjisë në fushë.
“Fakti se arbitrat bëjnë gabim është pjesë e futbollit, por për shkak se njerëzit ankohen gjithë kohës, atëherë kanë krijuar VAR”.
Më pas është diçka që është vënë re nga të gjithë: fakti që tashmë lojtarët nuk janë më të sigurt nëse kanë shënuar, nëse më parë nuk kontrollohet aksioni.
“Pas një goli, jemi të gjithë aty duke pritur dhe është si të na kishin hequr pak lumturinë e golit. Mendon gjithmonë ‘ah, por është VAR’, kështu që unë do ta hiqja plotësisht”.
Një opinion i veçantë, por që gjithsesi nuk do të mund t’i ndryshojë gjërat. VAR është dhe do të qëndrojë, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo Hazard-it.
Lini një Përgjigje