Legjionarët kuqezi vijojnë të paraqiten mirë me klubet e tyre, teksa edhe java që lamë pas ishte shumë pozitive. Shumica e lojtarëve u aktivizuan titullarë, ndërsa disa prej tyre gjetën rrugën e rrjetës dhe asistuan.
Mirlind Daku shënoi golin e radhës në kampionat në sfidën ndaj CSKA Moscow. Sulmuesi kuqezi zhbllokoi takimin në minutën e 43-të për skuadrën e Rubin Kazan, duke shënuar golin e tij të nëntë në kampionat.
Myrto Uzuni ishte sërish protagonist për skuadrën e Granadës. Sulmuesi kuqezi realizoi një tjetër gol të bukur në takimin ndaj Almerias, duke shkuar në kuotën e nëntë golave në La Liga 2.
Jasir Asani gjeti sërish rrugën e rrjetës në Champions-in e Azisë. Sulmuesi kuqezi i aktivizuar në minutën e 57-të, u bë menjëherë protagonist duke shënuar golin që i dha fitoren skuadrës së Gwangju. Asani kryeson renditjen e golashënuesve në Champions-in e Azisë me 7 gola.
Anis Mehmeti po kalon një formë shumë të mirë me skuadrën e Bristol City. Në ndeshjen ndaj Plymouth, sulmuesi kuqezi realizoi dy gola dhe dha një asist në fitoren 4-0. Mehmeti u shpall lojtari i ndeshjes, i vlerësuar me notën 9.8 nga sajti i specializuar për statistika sofascore.
Qazim Laçi dha një asist në barazimin 1-1 të Sparta Pragës ndaj Dukla Pragës. Mesfushori i Kombëtares shërbeu saktë për Olatunji-n në minutën e 12-të.
Cristian Shpendi shënoi golin e radhës në Serinë B italiane me skuadrën e Cesenas. Sulmuesi kuqezi u ndal fillimisht nga goditja e penalltisë nga portieri i Frosinones, megjithatë ai e dërgoi topin në rrjetë pas kthimit të tij. Ky ishte goli i katërt radhazi për Shpendin, i cili kryeson renditjen e golashënuesve me 10 gola.
Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan Thomas Strakosha, Alen Sherri, Elhan Kastrati, Mario Mitaj, Ardian Ismajli, Arlind Ajeti, Enea Mihaj, Marash Kumbulla, Ylber Ramadani, Amir Abrashi, Taulant Seferi, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Keidi Bare, Indrit Tuci dhe Rey Manaj ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Jon Mersinaj dhe Arbnor Muja.
Po pse na cani trapin se c bejne legjionaret jashte ,dhe kur vin dita qe te luajne per kombin ,e hane KARRIN ne dysh
Ke te drejte Vlora. Ne na duhet c'bejne legjonaret kur luajne me kombetaren. Aty ta matin sumen a jane legjonare po ca jane. Ne na behet qejfi qe luajne dhe shenojne neper klubet e tyre por per Shqiperine duhet te luajne si ne eleminatoret e Europianit pastaj tu thurrim elozhe legjonareve tane.