Po i mahnit të gjithë në Angli, fenomeni Mehmeti tregon sekretin: U qëndroj larg rrjeteve sociale, më pëlqen të shënoj gola “të mërzitshëm”

1 Mars 2026, 11:35Sport TEMA
Po i mahnit të gjithë në Angli, fenomeni Mehmeti tregon sekretin:

Anis Mehmeti është kthyer në protagonist absolut në Championship, kategorinë e dytë angleze, ku ka shkëlqyer fillimisht me Bristol e tani po bën të njëjtën gjë edhe me Ipsuiç ku u transferua gjatë merkatos së dimrit.

Ai ka lënë shumë shpejt shenjë me ekipin e tij të ri duke zhvilluar një lojë të mirë në fazën ofensive, ndërsa ka nisur të shënojë gola e japë asiste. Këtë e bëri edhe në ndeshjen e djeshme ndaj Suonsit, në shtëpi, ku festoi golin e parë para tifozëve vendas, ndërsa dha edhe një asist e ishte protagonisti edhe te goli tjetër.

“Ky është stili i lojës time, unë vë veten nën trysni që të mundohem të përgjigjem, qoftë kjo duke shënuar gola apo dhënë asiste. Edhe në ndeshje ku performanca jonë mund të mos jetë e mirë, duhet të gjesh mënyra që të ndikosh në lojë. Kjo është ajo që unë mundohem të bëj në çdo ndeshje.

Edhe këtë radhë, shënova e dhashë asist, por ndjej se si loja ime në përgjithësi mund të përmirësohet. Unë e ndjej se mund të jepja një tjetër asist, apo të isha pak më i pastër në vendimet e mia në momente në fazën sulmuese. Ndjej sikur e dhurova topin dy herë, gjë që nuk duhej ta kisha bërë. Kur je kaq i orientuar ndaj procesit të lojës, vetëm mund të vazhdosh të përmirësohesh. Është një nivel i caktuar dhe duke i vendosur trysni vetes, më të bën të fokusuar ndaj nuk mendoj se do të ndryshoj në këtë aspekt.

Goli sot ishte një moment special. Kisha shënuar ndaj Reksam dhe festuar jashtë fushe, por sot ishte më special. Gjëja e rëndësishme ishin tre pikët”, tha Mehmeti pas ndeshjes ku mori ovacione nga publiku.

Futbollist ka mësuar te Bristoli me golat e tij nga distanca, por te Ipsuiç, gjërat janë pak më ndryshe. “Të jem i sinqertë, më pëlqen të shënoj gola “të mërzitshëm”.  Kjo do të thotë që jam brenda në zonë dhe po bëj lëvizje të zgjuara. Unë mundohem gjithmonë të shkoj drejt portës. Këtë herë topi ra në zonë dhe unë isha aty. Jam shumë i lumtur për një gol të tillë”, theksoi lojtari i cili më pas shpjegoi se si e shihte ai veten në fushën e lojës.

“Të jem i sinqertë, në karrierën time kam qenë më natyral duke luajtur në të majtën e pastaj duke u futur në qendër. Ishte më e natyrshme në fillim, por tani po përshtatem. Unë mund të luaj në zonat e qendrës, mund të luaj në krah dhe duhet të bëj atë që më kërkon trajneri. Kjo është ajo që bëra edhe sot”, shpjegoi lojtari i cili është i lumtur për atmosferën që ndjen në stadiumin “Portman Road”.

“Më kujtohet kur vija këtu me Bristolin. Unë e dija gjithmonë që atmosfera ishte fantastike, por tashmë të jem pjesë e saj është një ndjesi speciale për mua. Unë po i gëzohem çdo momenti dhe ndjej se këtë vit mund të bëjmë diçka speciale.

Komentet e tifozëve? Unë mundohem të mos shoh shumë rrjetet sociale. Një minutë je lojtari më i mirë, në minutën tjetër të vënë në dyshim. Nuk them se kjo është ajo që ka ndodhur këtu, por unë mundohem të fokusohem te e përditshmja, duke u munduar të përmirësohem. Por e ndjej dashurinë e stadiumit, e ndjej dashurinë e tifozëve dhe kjo është ajo që më motivon çdo ditë”, ishin fjalët e futbollistit shqiptar.

Lini një Përgjigje