
Pas ndeshje miqësore Shqipëri U-16 – Itali U-16, që u luajt të martën pasdite në stadiumin kombëtar “Air Albania”, Ambasada Italiane në Shqipëri organizoi një pritje ku ishin të ftuar të gjithë futbollistët, stafet e dy ekipeve kombëtare, përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv si edhe pjesëtarët e stafit të Kombëtares A me trajnerin Silvinjo dhe ndihmësit e tij, Pablo Zabaleta e Doriva.
Pritja rezervoi një atmosferë të shkëlqyer, njësoj si edhe atmosfera e krijuar në stadium gjatë ndeshjes, ku pati shumë tifozë shqiptarë dhe italianë.
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, z. Fabrizio Bucci, komplimentoi të dyja skuadrat për paraqitjet dhe për lojën e bukur që shfaqën në fushë, ndërsa falënderoi edh të dyja federatat për organizimin e këtyre miqësoreve.
“Ju faleminderit për paraqitjen e sotme dhe për emocionet që na dhuruat. Ju falënderoj për këtë ditë të bukur sporti, sepse futbolli bashkon popujt dhe vendet. Ju përfaqësoni Italinë dhe Shqipërinë, por kur jeni në fushë ju thjesht jeni disa djem që doni të argëtohen, duke kaluar disa orë me futboll. Dua të falënderojë të dyja federatat që organizuan këtë ndeshje, në nëntor të viti të kaluar ne kishim Kombëtaren A të Italisë këtu në një tjetër ndeshje miqësore dhe ishte një atmosferë shumë e bukur”, – tha Ambasadori i Italisë, duke shtuar më tej: – “Ndoshta prej djemve të kombëtares italiane janë këtu për herë të parë, por do ta kuptoni menjëherë se sa të afërt janë dy vendet tona.
Shqipëria është një nga ato vendet ku një italian nuk ndihet sikur ishte si i huaj, këtu është shtëpia juaj falë edhe kësaj miqësie dhe marrëdhënieve të veçanta që ekzistojnë mes Italisë dhe Shqipërisë. Ju keni luajtur në transfertë por ishte njëlloj si të luanit në shtëpi, sepse Shqipëria është njësoj si shtëpia jonë, ashtu si edhe Italia është si një shtëpi për shqiptarët”, – theksoi z. Bucci.
Shqipëria U-16 do të luajë edhe një miqësore të dytë me Italinë U-16 më datë 23 shkurt në stadiumin “Elbasan Arena”, duke filluar në ora 12:00.
Lini një Përgjigje