
Fillimisht 7.5 milionë euro për të hartuar dokumentacionin dhe për të promovuar idenë e më pas rreth 1.5 miliardë për të përgatitur vendin në rast se fiton të drejtën e organizimit. Spanja mendon seriozisht për Kupën e Botës 2030 në një kandidaturë të përbashkët me Portugalinë dhe Ukrainën.
Nuk do të mbetet vetëm një ide por tashmë gjithçka është konkretizuar pasi qeveria e Madridit do të akordojë menjëherë fondin fillestar për nisjen e punës që mund të finalizohet me projektin konkret të tre vendeve që synojnë të organizojnë evenimentin pas 8 viteve.
Shuma prej 1.5 miliardë do të ndahet rreth 700 milionë për infrastrukturën dhe pjesa tjetër për organizimin. Autoritetet në Spanjë kanë bërë një llogari fillestare sipas së cilës, një pjesë e madhe e 5 miliardë eurove që gjeneron evenimenti, do të shkojnë për Spanjën që në këtë mënyrë justifikon edhe shpenzimet ndërsa më shumë se 82 mijë njerëz do të punësoheshin për një afat më shumë se 5-vjeçar.
Për momentin, kandidatura të tjera janë edhe Kili-Argjentina-Uruguaji-Paraguaji dhe treshja Arabi Saudite-Egjipt-Greqi. Ka zëra gjithashtu që edhe Maroku e Kina do të zbresin në fushë me projekte konkrete.
Lini një Përgjigje