Emocionet e përballjes mes Andorrës e Shqipërisë sa vijnë e rriten, e bashkë me to edhe presioni për formacionin titullar.
Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, do të ketë grup të plotë për duelin e orës 20:45 dhe ndryshimet pritet të mos jenë të shumta.
Dilemat për rreshtimin kanë qenë të shumta, duke parë formën e lojtarëve. Sylvinho duket se do t’u besojë heronjve që luajtën në Serbi, me balotazhet që shihen në pozicione specifike për t’iu përshtatur edhe kundërshtarit. Thomas Strakosha rikthehet në portë, me Dajsinanin që do të ulet në stol pas asaj paraqitjeje në miqësoren me Jordaninë.
Elseid Hysaj në të djathtë dhe Mario Mitaj në të majtë konfirmohen në krahët e mbrojtjes, teksa në qendër do të jetë Gjimshiti.
Ndërkohë balotazh ka mes Ajetit e Ismajlit, me këtë të fundit më të avantazhuar për shkak edhe të centimetrave. Në mesfushë do të gradohen titullarë Shehu, Asllani e Laçi, të cilët do të jenë në ndihmë të tre sulmuesve.
Broja, titullar në të djathtë, ndërkaq në të majtë ka balotazh mes Arbër Hoxhës e Myrto Uzunit.
Në qendër të sulmit do të jetë Rey Manaj, lushnjari i cili shihet si më i favorizuar kundrejt Mirlind Dakut dhe Indrit Tucit.
Lini një Përgjigje